
Një burrë 78-vjeçar, që ishte shpallur i vdekur nga ekipet e urgjencës, është rikthyer në jetë 30 minuta më vonë, ndërsa ndodhej në ambulancë. Ngjarja e jashtëzakonshme ndodhi në Tarquinia, në provincën e Viterbos, Itali dhe sipas mjekëve, bëhet fjalë për një rast jashtëzakonisht të rrallë të ashtuquajturën "sindroma e Lazarit" – një fenomen ku zemra rifillon spontanisht pas ndërprerjes së manovrave të reanimacionit.
Burri, me origjinë libiane, kishte pësuar dy infarkte dhe dy arreste kardiake. Pavarësisht përpjekjeve të gjata për ta rikthyer në jetë, mjekët u detyruan të konstatonin vdekjen dhe ndërprenë çdo ndërhyrje.
Trupi i tij mbeti në ambulancë në pritje të makinës funerale, ndërsa helikopteri i urgjencës u kthye mbrapsht.
Por, për çudinë e të gjithëve, pas rreth 30 minutash, i moshuari hapi sytë dhe pyeti për vajzat e tij.
Menjëherë, mjekët rifilluan kontrollet dhe e transportuan në spital, ku aktualisht ndodhet në gjendje të qëndrueshme.
Por çfarë është sindroma e Lazarit dhe pse është kaq e rrallë
“Sindroma e Lazarit”, e njohur ndryshe si Rikthimi Spontan i Qarkullimit të Gjakut (ROSC), është një fenomen i rrallë mjekësor, ku pacienti rikthehet në jetë pas ndërprerjes së reanimacionit. Emri e ka origjinën nga historia biblike e Lazarit që u ngrit nga vdekja pas katër ditësh. Rastet e dokumentuara që nga vitet 1980 janë të pakta në të gjithë botën, dhe ende mbetet një mister i pjesshëm për mjekësinë moderne.
Si mund të rikthehet zemra në funksion pas vdekjes së shpallur
Mjekët kanë disa teori që shpjegojnë këtë fenomen. Njëra lidhet me ajrin e mbetur në mushkëri gjatë ventilimit artificial, që mund të ushtrojë presion dhe të pengojë funksionimin normal të zemrës. Kur ventilimi ndalet, presioni bie dhe zemra mund të rifillojë spontanisht. Një tjetër faktor është adrenalina, e cila mund të ketë efekt të vonuar në trup. Gjithashtu, çrregullimet metabolike ose elektroletike mund të korrigjohen spontanisht, duke rifilluar aktivitetin kardiak.
Sa raste janë në botë?
Sipas një studimi ndërkombëtar të vitit 2020 nga studiuesit Les Gordon, Mathieu Pasquier dhe Hermann Brugger, në mbarë botën janë regjistruar rreth 65 raste të dokumentuara të sindromës së Lazarit. Në shumicën e tyre, rikthimi në jetë ndodh brenda 10 minutave pas ndërprerjes së manovrave. Rreth një e treta e pacientëve mbijetojnë pa pasoja neurologjike, ndërsa të tjerët pësojnë dëmtime në tru ose humbin jetën më pas.
Rasti i Tarquinia është veçanërisht i rrallë për shkak të kohës së gjatë të mungesës së shenjave jetësore – plot 30 minuta, që e bën një përjashtim të jashtëzakonshëm në përvojën klinike të deritanishme./Marrë nga TgCom







