
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia kanë rënë dakord që në ditët në vijim të zhvillohet një takim mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin – njoftoi këshilltari i Kremlinit, Jurij Ushakov.
Sipas burimeve të medias polake online "Onet", ky takim vjen pas një pakete propozimesh të avancuara që Uashingtoni i ka bërë Moskës, në bashkërendim me fuqitë evropiane.
Propozimet parashikojnë një armëpushim në Ukrainë, jo paqe të plotë, dhe përfshijnë:
-Armëpushim në Ukrainë, jo paqe
-Njohje de facto e përfitimeve territoriale ruse në Ukrainë duke shtyrë diskutimin mbi këtë çështje për 49 ose 99 vjet.
-Heqja e shumicës së sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë dhe kthimi në bashkëpunimin energjetik, pra importet e gazit dhe naftës ruse.
Kësaj "pakete" që thuhet se është formuluar nga Uashingtoni i mungon garancia e moszgjerimit të NATO-s, të cilën rusët e kanë kërkuar vazhdimisht.
Moska gjithashtu nuk mori asnjë premtim se Perëndimi do të pezullonte mbështetjen ushtarake për Ukrainën. Megjithatë, kjo pikë e fundit thuhet se është pranuar nga rusët.
Mundësia që kjo është marrëveshja që po negociohet nga Rusia dhe Amerika, sipas "Onet", konfirmohet nga deklaratat e disa politikanëve kryesorë evropianë.
Për shembull, më 30 korrik, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se "ekziston një shans i madh dhe shumë shenja që tregojnë se lufta ruso-ukrainase të paktën mund të ndalet në të ardhmen e afërt".
Presidenti çek Petr Pavel tha se "nëse çmimi i mbijetesës së Ukrainës është që Rusia të pushtojë një pjesë të vendit, atëherë ky është një çmim i pranueshëm".
Ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski, kur u pyet nëse ishte e mundur të rinovohej bashkëpunimi energjetik me Rusinë, ai u përgjigj: "Kjo luftë do të mbarojë një ditë dhe Rusia ka qenë një burim lëndësh të para për Bashkimin Evropian për qindra vjet".
Në rast të një marrëveshjeje, Trump do të pranonte lëshime të mëdha ndaj Rusisë, ndërsa Putin do të pranohej të ndalonte luftën pa arritur qëllimet e deklaruara, ndërsa Ukraina vetëm armëpushim, shkruan Onet.
Megjithatë, raportimet e fundit thonë se qëndrimi i Moskës është ashpërsuar sërish./Përshtati në shqip Versus.al







