EKONOMI & MJEDIS /

85 milionë euro investim për sistemin e trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës

Në total, projekti parashikon ndërtimin e rreth 113 kilometrave rrjete të reja, 4 stacioneve të pompimit dhe rreth 13 mijë lidhjeve të reja të kanalizimeve.

Shkruar nga Versus

85 milionë euro investim për sistemin e trajtimit të ujërave

Ka nisur sot në Durrës zbatimi i një prej investimeve më të rëndësishme në modernizimin e sistemit të trajtimit të ujërave të ndotura dhe rehabilitimin e rrjetit të kanalizimeve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, deklaroi përmes një videomesazhi në rrjetet sociale se projekti mbështetet me rreth 85 milionë euro grant nga Bashkimi Evropian, financim që, së bashku me mbështetjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim, do të mundësojë modernizimin dhe zgjerimin e impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura në Durrës.

“Ky është granti më i madh i dhënë nga Bashkimi Evropian për një projekt në Shqipëri”, u shpreh Karakaçi, duke e cilësuar investimin si një dëshmi të përfitimeve nga procesi i integrimit evropian.

Sipas ministrit, projekti do të vijojë me një fazë të dytë, e cila parashikon zgjerimin e rrjetit të kanalizimeve në Shkozet, Porto Romano dhe Spitallë, me Bashkimin Evropian që financon përmes grantit rreth dy të tretat e vlerës së investimit.

Në total, projekti parashikon ndërtimin e rreth 113 kilometrave rrjete të reja, 4 stacioneve të pompimit dhe rreth 13 mijë lidhjeve të reja të kanalizimeve.

Karakaçi bëri të ditur gjithashtu se për tre vitet e ardhshme, 2027–2030, është siguruar financimi për projekte në fushën e trajtimit të ujërave të ndotura me një vlerë totale prej rreth 330 milionë eurosh.

“Ky projekt dhe këto financime janë dëshmi e qartë e angazhimit të plotë të qeverisë për investimin në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimeve dhe trajtimit të ujërave të ndotura”, deklaroi ministri.

Poll