EKONOMI & MJEDIS /

Impianti 50 MW i KESH në Belsh, nënshkruhet huaja dhe granti me BERZH

Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pjesa e grantit u sigurua falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në një thirrje të Bashkimit Europian dedikuar projekteve energjetike të rinovueshme.

Shkruar nga Versus
Impianti 50 MW i KESH në Belsh, nënshkruhet huaja dhe granti me BERZH
Belinda Balluku

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka siguruar financimin për ndërtimin e impiantit fotovoltaik të Belshit me një kapacitet të instaluar 50 MW dhe këtë të martë u nënshkruan marrëveshja për kredinë dhe grantin e këtij projekti.

Në një ceremoni të mbajtur me këtë rast zëvendëskryeministrja, njëkohësisht Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku tha se pjesa e grantit u sigurua falë pjesëmarrjes së Shqipërisë në një thirrje të Bashkimit Europian dedikuar projekteve energjetike të rinovueshme.

“Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, pasi arritëm të përfitojmë një mbështetje financiare për zhvillimin e këtij projekti në Parkun Fotovoltaik të Belshit, një mbështetje që vjen nga Bashkimi Europian në formën e grantit me 9.58 milionë euro, që është rreth 23% e vlerës së investimit, ndërkohë e shoqëruar me një hua nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që ekuivalon në 30 milionë euro. BERZH-i, që tashmë është një partner i yni i konsoliduar në sektorin energjetik”, tha Balluku.

Në fjalën e saj nënvizoi se projekti do të ketë afate të mirëpërcaktuara dhe se tashmë me sigurimin e financimit do të hapet thirrja ndërkombëtare për ndërtimin.

“Projekti ka afate të mirëcaktuara. Menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes ne do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtare të ndërtimit të këtij parku, dhe në një periudhë gjashtëmujore kompania fituese duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre”, tha zv.Kryeministrja.

Impianti fotovolatik i Belshit është projekti më i madh i deritanishëm i KESH sa i takon energjisë diellore. Aktualisht Korporata ka zbaruar dhe po zbaton edhe një sërë projektesh të tjera por të një shkalle më të ulët dhe të vendosura në kaskadën e Drinit.

Impianti në Belsh synon ndërtimin e një parku fotovoltaik në bregun verior të liqenit të Thanës. Ky park do të ofrojë energji për 16 mijë e 100 abonentë ndërkohë që kapacitetet e tij vjetore do të jenë 79 gigavat./Monitor

Poll