EKONOMI & MJEDIS /

MABCO kundërshton vendimin për prishjen e koncesionit të Aeroportit të Vlorës, kërkon negociata me qeverinë

MABCO thotë se ka vijuar financimin e projektit dhe se ka kontraktuar kompani ndërkombëtare për shërbime teknike, certifikim dhe përgatitjen operative të aeroportit.

Shkruar nga Versus

MABCO kundërshton vendimin për prishjen e koncesionit të

MABCO Constructions ka kundërshtuar zyrtarisht vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për zgjidhjen e parakohshme të kontratës së koncesionit për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës.

Në një shkresë të depozituar më 10 gusht 2026 pranë MIE, kompania zvicerane e konsideron vendimin “të pabazuar” dhe kërkon nisjen e negociatave në mirëbesim me qeverinë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

MIE njoftoi më 3 gusht zgjidhjen e kontratës, duke argumentuar se nuk ishte realizuar data e operimit brenda afatit kontraktor, nuk ishin përfunduar punimet, nuk ishte mbajtur në fuqi sigurimi i kontratës dhe nuk ishin paguar penalitetet. Ministria i është referuar gjithashtu konflikteve mes ortakëve të shoqërisë koncesionare.

MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave të Vlora International Airport, i kundërshton këto pretendime. Sipas kompanisë, vonesat në projekt janë shkaktuar ose rënduar nga veprime dhe mosveprime të institucioneve shqiptare.

Një nga argumentet kryesore të MABCO lidhet me aksesin në kantier. Kompania pretendon se më 18 dhe 19 maj rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të saj nuk janë lejuar të hyjnë në zonën e aeroportit, ndërsa në vendngjarje ndodheshin edhe efektivë të Policisë së Shtetit.

Sipas MABCO-s, kjo situatë ka ndikuar në bllokimin e punimeve dhe në shtimin e vonesave. Kompania pretendon gjithashtu se konflikti për administrimin e shoqërisë koncesionare ka penguar procese të rëndësishme, përfshirë certifikimin e aeroportit, përditësimin e lejes së ndërtimit, pagesat dhe instalimin e pajisjeve.

MABCO thotë se ka vijuar financimin e projektit dhe se ka kontraktuar kompani ndërkombëtare për shërbime teknike, certifikim dhe përgatitjen operative të aeroportit. Sipas saj, janë vijuar edhe kontratat për pajisje të nevojshme për sigurinë dhe operimin e aeroportit.

Kompania kundërshton edhe argumentin e MIE lidhur me sigurimin e kontratës dhe penalitetet. Sipas MABCO-s, kontrata parashikon një periudhë 60-ditore për korrigjimin e një shkeljeje dhe pretendon se njoftimi i MIE për këtë çështje është bërë më 16 korrik, pak javë përpara vendimit për zgjidhjen e kontratës.

Në përfundim, MABCO nuk ka njoftuar nisjen e një procedure arbitrazhi, por ka kërkuar që palët të ulen në negociata brenda 15 ditëve pune dhe, në çdo rast, jo më vonë se 31 gusht 2026.

Kompania ka rezervuar të gjitha të drejtat dhe mjetet juridike që i burojnë nga kontrata, legjislacioni shqiptar, e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshja Shqipëri-Zvicër për mbrojtjen e investimeve. Kjo lë të hapur mundësinë e një përshkallëzimi të mëtejshëm ligjor nëse negociatat me qeverinë nuk do të japin rezultat./Monitor

Poll