Ndërsa kompanitë po sjellin pikat e prodhimit më pranë tregut europian, zgjedhja e tyre më e leverdishme është Europa Qendrore dhe Lindore, shkruan The Economist
Kohët e fundit, Bashkimi Europian ka bërë përpjekje të shumta për të kufizuar importet kineze. Sidoqoftë, këtë verë, Kina e bëri më të lehtë importimin e një produkti të vetëm europian: shpendëve polakë.
Ky gjest nuk kishte ndonjë peshë ekonomike, por është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga Kina për të investuar në Europën Qendrore dhe Lindore (EQL).
Kina nuk është e vetme. Vendet e EQL-së po përfitojnë nga kompani që po zhvendosin prodhimin e tyre pranë tregut europian (veprimtari e njohur si “near-shoring”) ose në vende politikisht të besueshme (friend-shoring).
Në raportin e fundit mbi konkurrencën europiane, Mario Draghi, ish-drejtues i Bankës Qendrore Europiane, argumentoi se BE-ja duhet të ndërtojë zinxhirë furnizimi më elastikë dhe të investojë në prodhimin vendas të mallrave kryesore si gjysmëpërçuesit.
Globalizimi në fillim të viteve 2000 nxiti një rritje mbresëlënëse në anëtarët më të rinj të BE-së. Tani ata duan të përfitojnë përsëri.
Marrim si shembull Poloninë, e cila nuk ka pasur një recesion që nga viti 1991, përveç kohës së pandemisë. Nivelet reale të konsumit për person kanë arritur ato të Spanjës. Investimet e Huaja Direkte neto janë dyfishuar nga 10 miliardë dollarë në vit në mesin e viteve 2010, në rreth 20 miliardë dollarë tani.
Një studim nga shoqëria këshillimore Kearney, e rendit Poloninë ndër 25 destinacionet kryesore për Investime të Huaja Direkte në vitet e ardhshme, pas Meksikës dhe Tajvanit.
Ka tri arsye pse duhen pritur më shumë investime në rajon. E para ka të bëjë me tranzicionin global drejt eliminimit të emetimeve të karbonit. Për prodhimin e automjeteve elektrike, baterive, pompave të nxehtësisë dhe mullinjve të erës, duhet të ndërtohen uzina të reja.
Përmirësimi i fabrikave të vjetra në Gjermani ose Francë, kushton po aq shtrenjtë sa ndërtimi i një fabrike të re në Poloni ose Hungari. Shtetet e pasura mund të japin më shumë subvencione, por vendet e EQL-së kanë tokë dhe punë më të lirë, rregulla më të buta dhe taksa më të ulëta.
Arsyeja e dytë është kapaciteti i tepërt kinez. Ndërsa rritja ekonomike e Kinës po ngadalësohet, vendi po dyfishon sektorin e tij gjigant të prodhimit, veçanërisht në fusha të reja si automjetet elektrike.
BE-ja është i vetmi treg ende mjaft i hapur ndaj importeve kineze, gjë që rrit trysninë ndaj prodhuesve europianë për të konkurruar. Kjo i shtyn ata drejt rajoneve me kosto më të ulët në tregun e përbashkët europian.
Në një dekadë, “pjesa më e madhe e prodhimit të makinave në Europë, mund të kryhet në vendet e EQL-së dhe shtete të tjera më të lira perëndimore, si Portugalia dhe Spanja”, thotë Zoltan Torok nga Raiffeisen Bank Hungary.
Arsyeja e tretë janë tensionet midis Amerikës dhe Kinës, ku Europa duket se ka ngecur në mes. Një gjendje e tillë mund të dëmtojë zinxhirët e furnizimit në kontinent. Kjo është arsyeja pse firmat kanë filluar të afrojnë pikat e prodhimit më afër tregjeve europiane (near-shoring).
Prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike do të përpiqen të prodhojnë në Europë, duke përdorur Hungarinë si urë lidhëse. Sipas firmës këshillimore FDI Intelligence, në tre vitet e fundit, njoftimet kryesore për Investime të Huaja Direkte kineze në Europë, kanë qenë pikërisht në Hungari dhe Serbi.
Hungaria mori fabrikën e parë europiane të kompanisë kineze BYD, që merret me prodhimin e automjeteve elektrike. Edhe kompanitë perëndimore po e bëjnë këtë.
Kancelari gjerman Olaf Scholz, së fundmi shkoi në Serbi për të nënshkruar një marrëveshje për nxjerrjen e litiumit për automjetet elektrike. Intel, kompani që merret me prodhimin e çipave, zgjodhi Poloninë për të ndërtuar një fabrikë prej 4.6 miliardë dollarësh.
Por lulëzimi i Investimeve të Huaja Direkte ka edhe rreziqet e veta. Investitorët e huaj nuk njihen me saktësi. Një pjesë e madhe e ekonomisë së rajonit të EQL-së, tashmë është në pronësi të huaj. Vlera e shtuar në prodhimin e makinave është pothuajse tërësisht në duar të huaja.
Dy nga katër bankat kryesore në Poloni janë degë të bankës holandeze ING, dhe bankës spanjolle Santander. Partitë populiste polake si “Ligj dhe Drejtësi” pretendojnë se Investimet e Huaja Direkte të këtij lloji do të ngadalësojnë rritjen e pagave dhe do të nxisin pabarazinë. (Në fakt, pagat në Poloni janë rritur).
Megjithatë, është e vështirë t’i shkëpusësh vendet nga firmat, kapitali dhe njohuritë e huaja. Vendet e EQL-së shpenzojnë shumë më pak për kërkim dhe zhvillim se ato të Europës Perëndimore dhe atyre u mungojnë tregjet e thella të kapitalit.
Përpjekja e Polonisë për të ndërtuar një automjet elektrik polak, filloi me vështirësi, edhe pasi ajo bashkoi forcat me prodhuesin kinez Geely, i cili do të mundësojë pjesën më të madhe të teknologjisë.
Prodhuesi më i madh i autobusëve në vend, kompania Solaris, u ble së fundmi nga firma spanjolle CAF.
Vendet e EQL-së duhet të garojnë për Investime të Huaja Direkte me shtete si Gjermania dhe Franca, të cilat mund të përballojnë subvencione më të mëdha. Duhet të garojnë edhe me vende që ofrojnë energji shumë më të lirë, si vendet nordike dhe Spanja.
Kostot e punës janë ende më të ulëta në vendet e EQL-së, por ky hendek po ngushtohet: pagat do të shkojnë nga 44% e mesatares së Europës Perëndimore, në 59% deri në vitin 2035, sipas Tomas Dvorak dhe Mateusz Urban nga firma këshillimore Oxford Economics. Për të konkurruar, qeveritë e EQL-së u japin të huajve tokë me çmim të lirë, por kjo nuk u pëlqen kompanive vendase.
Ato ofrojnë energji të subvencionuar për kompanitë e huaja, por për këtë duhet të paguajnë konsumatorët e tjerë. Mundohen t’i joshin të huajt me ligje rregullatore më të buta, por kjo gjë zemëron grupet mjedisore.
“Prodhimi në vend i pjesëve përbërëse të baterive me shumë inpute, është një veprimtari me vlerë të shtuar të ulët, që kërkon shumë energji dhe ujë”, thotë Gergely Tardos nga OTP Bank në Budapest. “Nuk ka një pajtim nëse kjo është e leverdishme për vendin”.
Investitorët e huaj gjithashtu kanë nevojë për garanci se mund të gjejnë punëtorë. Kjo është e vështirë për shtetet me popullsi në moshë pune në rënie. Me miliona qytetarë të vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore janë zhvendosur në ekonomitë më të pasura perëndimore.
“Tashmë është bërë e zakonshme importimi i fuqisë punëtore”, thotë zoti Torok. Kompanitë u drejtohen për ndihmë agjencive private dhe qeverive.
“Ne kërkojmë punëtorë deri në Indi, madje edhe në Laos”, thotë Jakub Fekiac, nga agjencia sllovake Edgar Baker. Firmat e huaja të shërbimeve nuk shfaqen shumë në shifrat e Investimeve të Huaja Direkte, por analistët thonë se ato punësojnë po aq njerëz sa edhe kompanitë industriale.
Numri i studentëve të huaj në universitetet hungareze është dyfishuar gjatë dekadës së fundit, të joshur nga vizat europiane. Importi i punëtorëve mund të mos jetë i suksesshëm në vende ku votuesit kundërshtojnë emigracionin.
Lulëzimi i investimeve në vendet e EQL-së do të rrisë pozitën e tyre në BE, si dhe perspektivat ekonomike. Por gjithashtu do t’i bëjë ato më miqësore ndaj Kinës dhe vendeve të tjera autoritare që kërkojnë t’i afrohen Europës.
Tashmë, Hungaria po kundërshton tarifat e BE-së për automjetet elektrike kineze. Disa analistë shqetësohen se lehtësimi i eksporteve të pulave të vendeve të EQL-së, mund të jenë një kalë trojan kinez./Monitor