EKONOMI & MJEDIS /

Operatorët urbanë kërkojnë kompensim për karburantin, Administrata tatimore i përgjigjet kërcënimit të tyre për reduktimin e autobusëve

Shkruar nga Versus

Operatorët urbanë kërkojnë kompensim për karburantin,

Pas paralajmërimit të shoqatave të transportit publik për reduktimin e flotës urbane nëse nuk marrin përgjigje nga qeveria për kompensimin e karburantit, ka reaguar Administrata Tatimore.

Përmes një njoftimi, Administrata Tatimore bën me dije se më 1 gusht 2026 ka përfunduar procesi i aplikimit për skemën e kompensimit për rritjen e çmimit të karburantit.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht po kryhet kompensimi për 95 subjekte të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës që kanë aplikuar për të përfituar nga kjo skemë.

“Vlera totale e kompensimit për shoqëritë e transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës arrin në 110.7 milionë lekë”, njofton Administrata Tatimore.

Kjo vlerë nuk përfshin shoqëritë që operojnë në linjat urbane të Tiranës, pasi kompensimi për to mbulohet nga Bashkia e Tiranës.

Për linjat urbane të kryeqytetit, 20 subjekte kanë aplikuar pranë Administratës Tatimore për kompensim nga Bashkia e Tiranës, me një vlerë totale prej 66.1 milionë lekësh.

Administrata Tatimore thekson se procesi i kompensimit vijon, ndërsa reagimi vjen në një kohë kur operatorët e transportit publik kanë paralajmëruar reduktimin e flotës nëse nuk zgjidhet çështja e kompensimit për rritjen e kostove të karburantit./Versus.al

 

 

Poll