
Ky grafik i Eurostat-it mat të ardhurat mediane të disponueshme për banor në Evropë ( pra paranë reale që i mbetet një familjeje për të jetuar pas taksave, sigurimeve dhe detyrimeve të tjera) dhe për këtë arsye konsiderohet një nga treguesit më të saktë të standardit të jetesës. PBB-ja për kokë banori mund të duket e lartë në letër por mund të jetë edhe një e dhënë mashtruese, sepse ndikohet nga pasuria dhe të ardhurat e pak individëve shumë të pasur.
Në një vend me dy-tre miliarderë, qindra milionerë të afërt me pushtetin, apo sektorë të privilegjuar me lidhje politike që nxjerrin fitime marramendëse të përqendruara, mesatarja kërcen lart artificialisht, ndërsa shumica e popullit vazhdon të jetojë në kufijtë e varfërisë.
Matja e të ardhurave mediane të disponueshme e eviton këtë deformim, sepse matja bëhet duke renditur të gjitha të ardhurat individuale nga më e ulëta tek më e larta dhe duke marrë vlerën në mes, që përfaqëson më mirë gjysmën e popullsisë. Në këtë mënyrë matet paraja që i mbetet “njeriut të zakonshëm” pas taksave, sigurimeve dhe detyrimeve, pra standardin real të jetesës së shumicës, jo të elitës.
Pra, PBB-ja për frymë është si të shohësh nga larg rrokaqiejt e Tiranës që rriten në horizont dhe të krijosh përshtypjen se qyteti është i pasur; ndërsa mediana të zbret në rrugicat poshtë tyre, aty ku shumica e banorëve lufton çdo ditë për qiranë dhe bukën.
Për vitin 2024, ky raport e vendos Shqipërinë në vendin me të ardhurat e disponueshme më të ulëta në gjithë kontinentin, çka përbën provën më të qartë se qeverisja shqiptare ka dështuar pikërisht aty ku pretendon më shumë sukses, te mirëqenia e qytetarëve.
Asnjëherë nuk është bërë më shumë propagandë për rritje, investime, rroga të larta dhe “Shqipërinë e vitit 2030”, por shqiptarëve u mbetet më pak para në xhep se çdo populli tjetër në Evropë. Ky kontrast brutal tregon se problemi nuk është tek ekonomia apo mungesa e mundësive, por tek mënyra sesi qeveria e ka drejtuar, shpërndarë dhe shpërdoruar zhvillimin. Me fjalë të tjera, atë që qeveria shpall si sukses, tregu dhe ky grafik e demaskon si dështim.
Radhitja në fund nuk është pasojë e varfërisë së burimeve të vendit tonë, por e prioriteteve të shtrembëruara të politikës ekonomike. Ndërkohë që buxheti fryhet me tendera të dyshimtë, projekte pa analiza kosto–përfitim, PPP të stërzgjatura e të dyshimta, dhe investime fasadë, familjet shqiptare përballen me rroga të ulëta, kosto të larta jetese dhe mungesë mundësish e gare të ndershme në ekonomi.
Qeveria ka ngritur një ekonomi që favorizon ndërtimin, turizmin sezonal dhe segmentet e lidhura me pushtetin, duke lënë pas dore sektorët që krijojnë mirëqenie të qëndrueshme si arsimin, shëndetësinë, inovacionin, industrinë, bujqësinë dhe sipërmarrjen e vogël. Për pasojë, sot kemi një model të deformuar ekonomik që prodhon pak fitues të majmë dhe shumë humbës, ku energjia e vendit përqendrohet në projekte spektakolare në letër, ndërsa realiteti i jetesës degradohet në heshtje.
Ky është, në thelb, një dështim i qeverisjes dhe i menaxhimit publik. Ndërsa vendet e rajonit rrisin pagat reale, forcojnë shtresën e mesme dhe ulin kostot strukturore duke rritur cilësinë e jetës dhe shtuar paratë që mbeten në xhep, Shqipëria ka ngelur në vend-numëro, për shkak të obsesionit me marketingun politik dhe mungesës së politikave serioze për rritjen e produktivitetit. Me pak fjalë renditja në vendin e fund për të ardhurat e disponueshme nuk është pasojë e mungesës së mundësive, por e keqpërdorimit të tyre. Ajo reflekton një qeveri që mat suksesin me prerje shiriti e konferenca shtypi e jo me mirëqenie e mundësi; me kulla e jo me paga reale; me sondazhe opionioni e jo me statistika.
Ky raport i Eurostat-it, edhe pse merret me të ardhurat e njeriut të thjeshtë, në fakt jep shpjegimin më kuptimplotë të krizës së thellë demografike që po përjeton Shqipëria. Të ardhurat mediane më të ulëta në Evropë nuk janë vetëm tregues i dobësisë ekonomike, por alarm i kuq që shpjegon largimin masiv të të rinjve, profesionistëve dhe shtresës së mesme të arsimuar.
Ndërkohë që vende të rajonit si Mali i Zi, Maqedonia e Veriut apo Serbia arrijnë të ofrojnë më shumë të ardhura të disponueshme, familja shqiptare e sheh emigracionin jo si dëshirë, por si zgjidhjen e vetme të mundshme për një jetë më të qëndrueshme dhe të denjë. Për rrjedhojë, për sa kohë qeverisja nuk zhvendoset nga propaganda te performanca, Shqipëria do të mbetet vendi që vazhdon të humbasë qytetarët dhe bashkë me ta, të ardhmen e saj.

