
Shqipëria ka koston më të lartë të internetit nga rrjetet celulare, në raport me të ardhurat, në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas të dhënave nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacioneve (ITU), të cituara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), kosto mesatare e shportës mujore të internetit me brez të gjerë për vitin 2025 në Shqipëri ishte sa 1.69% e të ardhurave mujore bruto (GNI).
Me një nivel të tillë, Shqipëria renditet ndjeshëm sipër vendeve të tjera të rajonit dhe mesatares botërore. Pas Shqipërisë, renditet Maqedonia e Veriut, me 1.31% të GNI, e ndjekur nga Bosnjë-Hercegovina, me 1.17%, Mali i Zi me 1.01% dhe Serbia, me 0.96%. ITU nuk i publikon të dhëna për Kosovën.
Shqipëria ka gjithashtu kosto dukshëm më të larta se mesatarja botërore, prej 1.38% e GNI.
Shqipëria pozicionohet pranë niveleve më të larta në rajon dhe sipër mesatares botërore edhe në shportën e komunikimit me përdorim të lartë (140 minuta, 20 SMS dhe 5 GB), me 1.95% të GNI. Me këtë nivel, Shqipëria është vendi i dytë me kosto më të larta të paketës në fjalë në rajon, pas Maqedonisë së Veriut, me 2.1% të GNI. Pas Shqipërisë vijojnë Bosnjë-Hercegovina, me 1.86%, Serbia, me 1.49% dhe Mali i Zi, me 1.01%.
Mesatarja botërore e kostos për këtë shportë është në nivelin 1.54%.
Vlerësimi i përballueshmërisë së shërbimeve të komunikimeve elektronike në Shqipëri është kryer në përputhje me metodologjinë e ITU, e cila mat koston e shportave standarde të TIK në raport me të ardhurat kombëtare bruto për frymë. Pragu prej 2% i GNI/banorë shërben si kufi referues për përcaktimin e përballueshmërisë së shërbimeve bazë.
Sipas analizave të AKEP, shërbimet celulare paraqiten në një situatë më të favorshme, ku të gjitha shportat, si ato me konsum të ulët, vetëm për internet, ashtu edhe ato me konsum të lartë, rezultojnë nën ose shumë pranë pragut prej 2% të GNI për frymë.
Nga ana tjetër, shporta e broadband-it fiks ka paraqitur një përmirësim gradual, duke zbritur nga 2.31% në vitin 2024 në rreth 2.08% në vitin 2025, duke zbritur pranë pragut të përballueshmërisë në një nivel më të pranueshëm.
Pas vitit 2023, konsumatorët shqiptarë po përballen me një rritje graduale të çmimeve të komunikimit, veçanërisht në segmentin celular.
Kjo periudhë përkon me përqendrimin e strukturës së tregut në dy operatorë të vetëm. Pas një periudhe disavjeçare të karakterizuar nga një konkurrencë e ashpër, fitime të dobëta dhe në disa raste edhe çmime grabitqare, struktura e re duopol duket se po u lejon operatorëve të korrigjojnë çmimet dhe të përmirësojnë parametrat e tyre financiarë.
Në analizën e saj të fundit për përballueshmërinë e çmimeve, zhvillimet e tregut, përfshirë konsolidimin e operatorëve, kanë sjellë reduktim të numrit dhe larmishmërisë së paketave, veçanërisht në segmentin me parapagesë.
Megjithatë, shumica e ofertave vazhdojnë të jenë të integruara, duke kombinuar shërbimet e telefonisë, SMS-ve dhe internetit, me periudha vlefshmërie që variojnë nga ditore deri në mujore.
Në krahasim me rajonin, analiza e përballueshmërisë, bazuar në metodologjitë ndërkombëtare, tregon se përdoruesit shqiptarë paguajnë relativisht më shumë për shërbimet bazike dhe mesatare, ndërsa ofertat për përdorim të lartë janë më konkurruese.
Autoriteti i Konkurrencës do të kërkojë ndryshime në kushtet e kontratave
Autoriteti i Konkurrencës do të kërkojë ndryshime në kushtet e përgjithshme të kontratave të shërbimit të operatorëve celularë. Kryetari i Komisionit të Konkurrencës, Denar Biba, tha se së shpejti Autoriteti i Konkurrencës do të dalë me një vendim për hetimin në tregun e shërbimeve celulare. Ai paralajmëroi se ka për të pasur ndryshime serioze në kontratat që kompanitë celulare do të aplikojnë me konsumatorët shqiptarë.
Duke marrë shkas nga klauzola e indeksimit vjetor të çmimeve, z.Biba theksoi se e drejta e operatorëve celularë për të indeksuar tarifat e shërbimit është e parashikuar në kontratat e nënshkruara me pajtimtarët. Sipas tij, këto kontrata janë të miratuara nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, por paralajmëroi se në vendimin për mbylljen e hetimit do të ketë rekomandime që lidhen me të drejtën e operatorëve për të përfshirë në kontratë parashikime të këtij lloji.
Në nëntor të vitit të kaluar, Autoriteti i Konkurrencës hapi hetim të thelluar ndaj dy kompanive të ofrimit të shërbimeve celulare në vend, Vodafone Albania dhe One Albania.
Një nga çështjet e hetimit të thelluar është edhe klauzola e indeksimit vjetor të çmimeve, e parashikuar në kontratat e pajtimit të të dy operatorëve celularë.
Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) deri tani nuk ka marrë qëndrim për këtë çështje, por në raportin vjetor të vitit 2024 ka mbledhur informacion mbi legjislacionin e vendeve të tjera, lidhur me një dispozitë të tillë.
Nga informacioni i mbledhur, ka rezultuar se, përgjithësisht, e drejta për indeksim me normën e inflacionit nuk është e ndaluar në legjislacionin specifik sektorial apo në atë të përgjithshëm.
Në kushtet kur nuk ekziston një ndalim eksplicit, AKEP lë të kuptohet se praktika e indeksimit të tarifave është një praktikë që mund të konsiderohet e lejuar ligjërisht.
Megjithatë, një qëndrim kundër një praktike të tillë ka shprehur autoriteti kryesor në rregullimin e këtyre tregjeve, Trupa e Rregullatorëve Europianë të Komunikimeve Elektronike (BEREC).
Në një dokument të vitit 2024, të quajtur “Opinioni i BEREC mbi tregun dhe zhvillimet teknologjike dhe mbi ndikimin e tyre në zbatimin e të drejtave të përdoruesve fundorë”, i publikuar në dhjetor 2024, kjo trupë e ka konsideruar përfshirjen dhe aplikimin nga operatorët në vendet të klauzolave kontraktore për rritje të çmimeve gjatë kohëzgjatjes së kontratës (In-contract price increase clauses) sipas IÇK apo IÇK plus një marzh, si “zhvillim me ndikim shqetësues për të drejtat dhe përfitimet e përdoruesve fundorë, pasi në disa raste, ato kanë rezultuar në rritje të ndjeshme të tarifave ose përdoruesit nuk kanë të drejtën e ndërprerjes pa penalitet të kontratës”.
Opinioni dhe propozimi i BEREC për Komisionin Europian për këtë çështje është se “këto klauzola paraqesin sfida për sa i përket konkurrencës, përballueshmërisë, lëvizshmërisë (ndërrimit të ofruesit së shërbimit) së përdoruesit fundor, transparencës dhe krahasueshmërisë së çmimeve.
Përdorimi i tyre krijon rrezik që objektivat e kuadrit ligjor për mbrojtjen e konsumatorëve të mos përmbushen”. Pavarësisht këtyre rekomandimeve, deri tani AKEP nuk ka shprehur publikisht qëllim të ndërhyjë për të rregulluar apo për të ndaluar klauzola të këtij lloji nga operatorët e komunikimeve elektronike në Shqipëri.
Hapet rruga për heqjen e tarifave roaming me BE-në
Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Bashkimit Europian i dha dritën e gjelbër Komisionit Europian për të nisur negociatat e heqjes së tarifave roaming me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Së shpejti, do të nisin negociatat individuale me secilin vend të Rajonit, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë-Hercegovinën dhe Serbinë.
Heqja e tarifave roaming nënkupton se abonentët e shërbimeve celulare në Shqipëri dhe vendet e tjera të Rajonit do të përdorin numrat e tyre në vendet e Bashkimit Europian me të njëjtat tarifa si në vendin e tyre.
Procesi nuk ka një afat të qartë dhe ecuria e tij do të varet nga negociatat që do të zhvillohen me secilin vend të rajonit. Heqja e tarifave roaming me vendet e BE-së, megjithatë, do të kërkojë edhe ndryshime ligjore në secilin prej këtyre vendeve.
Qeveria shqiptare ka përgatitur disa ndryshime në ligjin “Për komunikimet elektronike”, që, mes të tjerash, do të krijojnë bazën ligjore për rregullimin e roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Pritet që ndryshimet ligjore të miratohen këtë vit.
Ndryshimet ligjore do të krijojnë hapësirat për rregullimin e tarifave roaming, por edhe të tarifave me shumicë mes operatorëve vendas dhe atyre të Bashkimit Europian.
Aktualisht, tarifat roaming mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nuk janë ligjërisht të rregulluara, por që prej vitit 2023, me ndërmjetësimin e Komisionit Europian, 38 operatorë të shërbimeve celulare të BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor arritën një marrëveshje për uljen e tarifave roaming të internetit.
Nga dy operatorët celularë shqiptarë, vetëm One Albania u bë pjesë e marrëveshjes, por sidoqoftë edhe Vodafone Albania ofron tarifa të ngjashme preferenciale për përdorimin e shërbimeve të kompanive të tjera të grupit Vodafone në BE.
Konkretisht, operatorët që u bënë pjesë e marrëveshjes ranë dakord për vendosjen e një niveli maksimal të çmimit të shitjes me pakicë 18 euro/GB (gigabajt) duke filluar nga 1 tetori 2023, ndërsa që nga fillimi i këtij viti, çmimi tavan është ulur në 14 euro/GB.
Marrëveshja parashikon edhe një etapë të tretë, që do t’i ulë çmimet në 9 euro/GB, duke filluar nga viti 2028.
Gjithashtu, që në muajin maj, të dy operatorët celularë ndërmorën një ndryshim të rëndësishëm në planet tarifore me kontratë, duke shtuar në to sasi të konsiderueshme të internetit dhe njësive të tjera të komunikimit roaming në vendet e Bashkimit Europian.
Marrëveshja për uljen e tarifave të internetit në roaming me vendet e BE-së ndoqi marrëveshjen e arritur për heqjen e plotë të tarifave roaming mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Prej fundit të qershorit 2021, përdoruesit e telefonisë celulare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut, Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë komunikojnë gjatë udhëtimeve në vendet e tjera të rajonit pa kosto shtesë dhe me të njëjtat tarifa të planit kombëtar përkatës./Monitor

