Gjigandi gjerman i shitjes me pakicë, LiDL, ka njoftuar një nga investimet më të mëdha logjistike në Shqipëri, me një projekt që parashikon 105 milionë euro investim për ndërtimin e një qendre logjistike në Porto Romano, Durrës. Projekti është zhvilluar mbi një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë dhe synon të shërbejë si pika kryesore e magazinimit dhe shpërndarjes së produkteve për tregun shqiptar dhe rajonin.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin “Investim Strategjik me Procedurë të Veçantë” për projektin “LiDL – Shqipëria Qendër Logjistike”, duke i dhënë kompanisë së njohur në pronësi të grupit Schwarz tokën me qira afatgjatë. Gjithashtu, është parashikuar që procedurat e shpronësimit dhe ndërtimit të përmbyllen brenda një periudhe 3-vjeçare.
Kjo qendër logjistike do të luajë një rol të rëndësishëm në furnizimin e supermarketeve të ardhshme LiDL në Shqipëri, si dhe në promovimin e produkteve vendase për eksport në rrjetin ndërkombëtar të kompanisë. Parashikohet që investimi të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në punësim, duke krijuar rreth 2500 vende pune.
LiDL, e njohur për raportin cilësi–çmim, planifikon të zgjerojë më tej praninë e saj në vend, me hapjen e një rrjeti supermarketesh, duke futur standarde të reja në sektorin e shitjes me pakicë dhe duke shtuar konkurrencën në tregun shqiptar.
Ky zhvillim konsiderohet si një hap strategjik për modernizimin e infrastrukturës tregtare dhe logjistike në Shqipëri, duke forcuar pozitat e vendit si një nyje rajonale për shpërndarjen e mallrave dhe duke rritur mundësitë e bashkëpunimit me prodhuesit lokalë. /Versus.al/




A ia vlen të blesh një apartament për ta dhënë me qira

Gara e qyteteve për turistët, Tirana më e lira, por më e zëna


Turizëm në trafik, kur rrugët zhbëjnë suksesin
