Çfarë do të gjeni në brendësi
*Temperaturat e larta kanë rritur ndjeshëm rrezikun për zjarre në vend. *Në 12 orët e fundit raportohet për 14 vatra zjarri në rang kombëtar, 5 prej të cilave vijojnë të jenë aktive. Për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 182 forca dhe 19 mjete zjarrfikëse, ndërsa nga ajri operacioni po mbështetet nga 3 helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore. *Si pasojë e zjarreve, u dëmtuan rreth 1.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore. *Situatë kritike u regjistrua gjatë pasdites veçanërisht në Riban të Mallakastrës, ku 15 familje u evakuuan pasi flakët që u përhapën me intensitet në një masiv pyjor me pisha rrezikuan dhe banesat
Alarm i kuq për zjarret, Emergjencat Civile: 14 vatra në 12 orë, 5 mbeten aktive në të gjithë vendin

Situata e zjarreve vijon të mbetet problematike në disa zona të vendit, ku në 12 orët e fundit raportohet për 14 vatra zjarri në rang kombëtar, 5 prej të cilave vijojnë të jenë aktive.
Për shuarjen dhe izolimin e flakëve janë angazhuar 182 forca dhe 19 mjete zjarrfikëse, ndërsa nga ajri operacioni po mbështetet nga 3 helikopterë dhe një avion i Forcës Ajrore.
Sipas të dhënave paraprake, nga zjarret janë dëmtuar rreth 1.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre dhe bimësi pyjore, ndërsa vlerësimi i dëmeve në zonat ku zjarret vijojnë aktive është ende në proces.
Në Dajt të Tiranës, forcat në terren po punojnë për shuarjen e plotë të vatrës në zonën pyjore.
Në Rriban të Mallakastrës, zjarri ka zbritur në intensitet të ulët dhe vijon brenda masivit pyjor. Pas evakuimit të përkohshëm të 15 familjeve, ndërhyrja nga toka dhe ajri ka bërë të mundur largimin e rrezikut për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar një helikopter dhe një avion ushtarak.
Ndërkohë, në Stegopull–Selckë, në territorin e Libohovës dhe Dropullit, operacioni për izolimin e zjarrit vijon, por terreni i thyer malor dhe shkëmbor po vështirëson ndërhyrjen e forcave.
Vatra të tjera në Shqiponjë të Prrenjasit, Vërzhezhë të Skraparit dhe Krekëz të Himarës janë vënë nën kontroll dhe po monitorohen për të shmangur riaktivizimin.
Autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat ku zjarret mbeten aktive, me qëllim izolimin dhe neutralizimin e plotë të tyre./Versus.al
Temperaturat deri në 37°C, Instituti i Gjeoshkencave: Alarm i kuq të mërkurën, rrezik i lartë për zjarre në 9 qarqe

Temperaturat e larta dhe mungesa e reshjeve kanë rritur rrezikun për zjarre në vend. Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme, 5 gusht, rreziku do të jetë i lartë në disa qarqe.
Sipas IGJEO, niveli i rrezikut për zjarre do të jetë i lartë në Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër.
Në qarqet Shkodër, Kukës dhe Dibër rreziku parashikohet të jetë i moderuar, por në zona të caktuara ai mbetet i lartë. Konkretisht, bëhet fjalë për pjesën perëndimore të Shkodrës, verilindjen e Kukësit dhe perëndimin e Dibrës.
Sipas parashikimit, rreziku për përhapjen e zjarreve pritet të jetë edhe më i lartë gjatë ditës së mërkurë.
Ndërkohë, nuk priten reshje gjatë pasdites së sotme dhe ditës së nesërme në territorin e vendit.
Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 34°C në zonat bregdetare, 37°C në zonat e ulëta dhe 33°C në zonat malore.
Era do të fryjë e lehtë deri mesatare, ndërsa kushtet e thata dhe temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve në rast të rënies së zjarreve./Versus.al
VIDEO/ Situatë kritike me zjarrin në Riban të Mallakastrës, helikopteri nis ndërhyrjen nga ajri

Ka nisur ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Ribanit, në Bashkinë Mallakastër.
Helikopteri i angazhuar në operacion po kryen hedhje uji mbi vatrat aktive, ndërsa në tokë vijojnë përpjekjet e forcave zjarrfikëse, shërbimit pyjor dhe strukturave të emergjencave civile.
Flakët janë favorizuar nga temperaturat e larta dhe era e fortë, duke u përhapur me shpejtësi në një terren të vështirë dhe duke komplikuar ndërhyrjen e ekipeve.
Forcat në terren po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së zjarrit drejt sipërfaqeve të tjera pyjore dhe zonave të banuara.
Ndërhyrja nga ajri pritet të ndihmojë në frenimin e flakëve dhe vënien nën kontroll të situatës. Ekipet vijojnë monitorimin e zonës për të shmangur riaktivizimin e vatrave./Versus.al
Zjarri në Patos përfshin masivin me pisha, evakuohet një familje

Një zjarr i fuqishëm vijon të përfshijë masivin pyjor me pisha në Patos, ndërsa flakët po përhapen me intensitet dhe rrezikojnë afrimin drejt zonave të banuara.
Në terren janë angazhuar forcat zjarrfikëse të Patosit, Roskovecit, Mallakastrës, Albpetrolit dhe Beratit, të cilat po punojnë për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve pranë banesave.
Për shkak të situatës dhe rrezikut për banorët, një familje është evakuuar nga zona si masë parandaluese.
Ndërkohë, operacioni për shuarjen e zjarrit vijon pa ndërprerje. Në ndihmë të ekipeve në terren pritet të mbërrijë edhe një helikopter i dytë, i cili do t’i bashkohet ndërhyrjes nga ajri.
Forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për të vënë nën kontroll flakët dhe për të shmangur përhapjen e tyre drejt zonave të banuara./Versus.al
Zjarri mbulon kodrat e Nivicës, era favorizon përhapjen e flakëve

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë zonën e Nivicës, në Bashkinë Himarë, duke shkaktuar shqetësim për përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Era e fortë po favorizon përhapjen me shpejtësi të zjarrit, ndërsa terreni i vështirë po e komplikon ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse.
Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e shërbimit zjarrfikës, të cilat po punojnë për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve.
Forcat në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll situatën dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit në sipërfaqe të tjera./Versus.al
VIDEO/ Vatra e zjarrit aktive, masivet e pyjeve me ah në Prrenjas prej dy ditësh në flakë

Një vatër zjarri vijon të jetë aktive prej dy ditësh në zonën “Lukovë – Guri i Mekut”, në fshatin Shqiponjë të Bashkisë Prrenjas.
Flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore me ah. Terreni i vështirë malor dhe mungesa e aksesit për mjetet zjarrfikëse kanë vështirësuar ndërhyrjen e ekipeve për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Forcat e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimidt po punojnë në terren në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, shërbimin pyjor, strukturat e Bashkisë Prrenjas dhe banorët e zonës, me qëllim frenimin e përhapjes së flakëve.
Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në banesa. Dëmet janë evidentuar në sipërfaqe pyjore me ah./Versus.al
Zjarr i përmasave të mëdha në Riban të Mallakastrës, ndërhyrje nga toka dhe ajri

Përkeqësohet situata nga zjarri në zonën e Ribanit, në Mallakastër. Për shkak të erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke përfshirë kurorat e pishave dhe duke rritur ndjeshëm rrezikun e përhapjes së zjarrit në sipërfaqe të tjera.
Zjarri po kërcënon edhe zonat e banuara pranë vatrës, ndërsa autoritetet kanë angazhuar forca të shumta për të bërë të mundur izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Në terren ndodhen forcat e Emergjencave Civile, Policisë, Ushtrisë, shërbimit pyjor dhe strukturave të tjera operacionale.
Ndërhyrja po kryhet edhe nga ajri, me helikopterë që po hedhin ujë mbi zonat e përfshira nga flakët.
Era e fortë dhe përhapja e zjarrit në kurorat e pishave e kanë bërë situatën më të vështirë, ndërsa ekipet në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit./Versus.al

