Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sipërfaqe të tëra me pyje e bimësi janë djegur gjatë mbrëmjes së djeshme në Krujë pas një zjarri që përfshiu të gjithë pjesën e malit. Shkak për flakët u bë një zjarr i ndezur nga njëri prej banorëve për të djegur disa barishte, por shpejt situata i doli jashtë kontrollit dhe zjarri u përhap në të gjithë zonën. *Qindra banesa dhe spitali u rrezikuan nga flakët, ndërsa qindra banorë u detyruan të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre. *Pas disa orëve në “luftë” me flakët, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se zjarrfikësit dhe efektivët e Forcave të Armatosura kishin arritur të vinin zjarrin nën kontroll. Si pasojë e flakëve është djegur vetëm një magazinë dhe fatmirësisht nuk ka patur persona të lënduar.
400 forca u angazhuan gjatë natës, ministria e Mbrojtjes: Zjarri në Krujë, plotësisht nën kontroll

Që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, zjarri në malin e Krujës është vënë plotësisht nën kontroll pas operacionit të gjerë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Pjesa e mbetur e zjarrit në majë të malit po menaxhohet nga ajri, me ndihmën e dy helikopterëve të Forcës Ajrore.
Ministria e Mbrojtjes bën me dije se në terren u angazhuan mbi 200 efektivë zjarrfikës dhe mbi 200 efektivë të Forcave të Armatosura, të cilët punuan gjatë gjithë natës në të gjithë perimetrin e zonës së prekur.
Nga zjarri është dëmtuar një godinë, e cila shërbente si magazinë e një biznesi. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe asnjë banesë nuk është përfshirë nga flakët.
Autoritetet vijojnë monitorimin e zonës për të parandaluar riaktivizimin e vatrave të zjarrit. Versus.al
''Mbrojtëm shtëpitë me kova'', banori në Krujë: Nuk e kemi parë veten më ngushtë, zjarrfikësit u vonuan

Banorët e Krujës kanë rrëfyer sot për mediat tmerrin e përjetuar nga flakët masive që rrezikuan dje qindra banesa. Njëri prej banorëve tha se ishin përpjekur të shuanin flakët me kova me ujë e mjete rrethanore.
“Një tmerr i jashtëzakonshëm. Nuk e kemi parë veten më ngushtë se këtë herë, flaka deri në kupë të qiellit. S’i bënim dot asgjë, vetëm me kova e mjete rrethanore kemi arritur të mbrojmë dy shtëpitë. Falë miqve që kemi pasur. Erdhën me vonesë, njëra ishte sipër, mbaroi ujti. Kur erdhi ajo ne e kishim shuar. Zjarrin e kishim ngjitur fare në banesë, deri sipër tjegullave. Brenda në shtëpi nuk kemi dëm”, u shpreh ai mes të tjerash. Versus.al
Gjithçka e shkrumbuar përreth banesave, pasojat që la pas zjarri shkatërrimtar në Krujë

Masive të tëra pyjesh janë shkrumbuar nga flakët të cilat u arritën të neutralizohen vetëm orët e para të mëngjesit të sotëm.
Siç shihet edhe nga pamjet, flakët kishin rrethuar oborrin e banesave. Hiri vihet re rreth e rrotull tyre. Një magazinë rezini është shkrumbuar nga flakët masive. Ndërsa fatmirësisht nuk pati persona të lënduar. Versus.al
Situatë dramatike me zjarret në Krujë, flakët rrezikuan banesat dhe spitalin! Evakohen qindra qytetarë e pacientë

Duke nisur që nga pasditja e djeshme, Kruja u përball me një situatë dramatike të shkaktuar nga zjarret që sollën evakuimin e qindra banorëve nga frika se flakët mund t’u rrezikonin jetën.
Në Barabit dhe Lluban u paraqit situata më e vështirë pasi zjarri i favorizuar nga era përparoi me shpejtësi drejt zonave të banuara. Qindra qytetarë u detyruan të evakuoheshin madje pati edhe nga ata që u morën me forcë sepse refuzuan të braktisnin shtëpitë.
Edhe spitali i Krujës u vu në rrezik pasi zjarri u afrua deri në 50 metra tek godina duke bërë që pacientët të evakuoheshin gjatë natës për t’u dërguar drejt Tiranës. Fatmirësisht nga flakët nuk ka patur persona të lënduar.
Ndërsa sot situata paraqitet më pak e rënduar pasi gjatë gjithë natës forcat zjarrfikëse dhe ato të armatosura punuan për shuarjen e flakëve. Deri më tani 2 vatra zjarri janë ende aktive, ndërsa edhe 2 helikopterë po punojnë për të vënë nën kontroll flakët. Në pranga për këtë ngjarje të frikshme ka rënë Qemal Berhami i cili kishte ndezur zjarr për të djegur barishte në shtëpinë e tij, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe rrezikuan gjithë Krujën. Versus.al

