Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama nuk ka ndërmend të heqë dorë nga projekti për Zvërnecin. Kështu është shprehur së fundmi edhe gjatë intervistave që ka dhënë në mediat e huaja. *Ndërsa gjatë një konference për arsimin profesional, ai u përqendrua sërish tek ndikimi që ky arsim ka në gjetjen e vendeve të reja të punës sidomos në turizëm. *Sipas tij, emigrantët e huaj nga Bangladeshi, Filipinet apo vendet arabe vijnë në Shqipëri për t’u punësuar për shkak se pagat janë po aq të larta sa në Greqi e Kroaci. Madje Rama i sfidoi të gjithë që t’i provonin të kundërtën. Sipas tij, shqiptarët nuk duan të punojnë dhe prandaj nxjerrin teorinë se punëtorët e huaj paguheshin si skllevër këtu. *Në vijim të deklaratave për arsimin profesional, Rama tha se të rinjtë e shkollës profesionale në Vlorë do të punësoheshin në bazën e Pashalimanit ku sipas tij do të prodhohen anije ushtarake që më pas do të shiten për vendet e NATO-s.
"Do prodhojmë anije ushtarake në Pashaliman dhe do i shesim", Rama: S'janë vende pune për juristë

Ndërsa foli për të mirat që sjell arsimi profesional për vendet e reja të punës, kryeministri Edi Rama tha se së shpejti në bazën e Pashalimanit në Vlorë do të nisë puna për prodhimin e anijeve ushtarake të cilat më pas edhe do të shiten.
Ai tha se ky projekt me Fincantier, do të hapte 400 vende pune dhe të cilat më pas mund të shkonin deri në 800 të tilla.
“Finkantieri është një nga ekselencat më të mëdha të botës në fushën e prodhimit dhe mirëmbajtjes së anijeve. Për arsye se duan të shtojnë prodhimin e anijeve ushtarake, disa tipologji ushtarake që janë më të vogla, duan t’i bëjnë në Shqipëri. Do prodhojmë anije luftarake fillimisht për ushtrinë tonë, 2 të tilla që janë të nevojshme në bazë të kapaciteteve të NATO-s dhe pastaj do prodhojmë dhe do shesim anije. Do shkojmë në shkollën tregtare industrial të Vlorës për të prezantuar projektin, profesionet dhe për t’i ftuar vajzat dhe djemtë e shkollës që të firmosin marrëveshje me Fincantierin dhe të fillojnë të trajnohen. Bëhet fjalë për 400 vende pune dhe që do të shkojnë në prespektivë 800. Nuk janë vende pune për juristë, as për ekonomisë”- u shpreh kreu i qeverisë. Versus.al
“Shqiptarët punojnë në Instagram”, Rama: Punëtorët nga Bangladeshi vijnë se pagat janë si në Greqi e Kroaci

Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në një konferencë të mbajtur për Arsimin dhe Formimin Profesional ku nuk ngurroi të fliste as për turizmin dhe vendet e punës. Sa i takon numrit të madh të punonjësve nga Bangladeshi e vende të tjera të Azisë, apo vendeve arabe, Rama tha se arsyeja përse ata vijnë në Shqipëri është se pagat janë njëjtë si në Greqi e Kroaci.
“Po të shikojmë bregdetin shqiptar sot, ka filluar të zhvillohet në Golem. Sot është e paimagjinueshme që dikush, cilido sipërmarrës të shfaqet në dyert e autoriteteve dhe të propozojë atë lloj zhvillimi. Sepse është zhvillim tërësisht i papranueshëm, por i lidhur me një kohë kur mundësitë ishin shumë të kufizuara.
Dhe mbi të gjitha kur aftësia blerëse ishte shumë e kufizuar. Pavarësisht problematikave që ka patur zhvillimi i ndërtimit në fushën e turizmit, gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Zhvillimet janë bërë më cilësore, kostot e ndërtimit kanë ardhur duke u rritur, por edhe çmimi ka ardhur duke u rritur.
Vijmë tek punonjësit nga Pakistani dhe Bangladeshi. E them me përgjegjësi të plotë dhe sfidoj këdo të më provojë të kundërt. Sot problem kryesor i industrisë së turizmit nuk është sa të paguajnë, por ku të gjej punonjësit përkatës për të gjitha nivelet që ka edhe zanatin për ta bërë atë punë si duhet. Nëse dikush më gjen një vend në bregdetin shqiptar, flas për investimet që janë bërë, hoteleri, ku paguhet më pak se në Greqi, atëherë unë do detyrohem të rishikoj këtë opinion. Nuk ka, nuk gjendet një vend në bregdetin shqiptar ku paga të jetë më e ulët se në Greqi, apo Kroaci.
Cili është problemi? Problemi është se ata të cilët nxisin racizëm ndaj punonjësve të huaj dhe ata që mendojnë se punonjësit e huaj vijnë nga Filipinet për të punuar si skellevër, ata nuk duan të punojnë të marrin një pagë si në Kroaci e Greqi. Ose punojnë në Instagram dhe japin intervista sesi jeta e tyre modeste kushton 20 mijë euro në muaj. Sa më e lartë të jetë cilësia e sistemit të turizmit, aq më të larta do jenë pagat. Sa më e ulët të jetë cilësia, aq më të ulëta do jenë pagat”- u shpreh Rama mes të tjerash. Versus.al
"Nuk diskutohet suksesi", Rama për Al Jazeeran: Projekti në Zvërnec, bekim për vendin

Kreu i qeverisë Edi Rama ka dhënë intervistë për një tjetër media të huaj lidhur me protestat që po zhvillohen kundër resortit në Zvërnec të cilat tanimë kanë si kërkesë kryesore dorëheqjen e tij.
Ai tha se zhvillimi i këtij projekti nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje pasi sipas tij vetë shuma prej 4 miliardë eurosh, flet vetë.
“Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje nëse ky projekt do të ecte përpara apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh e ca, flet vetë”- tha Rama.
Sa u takon akuzave nga protestuesit se po shet vendin, Rama tha se bëhet fjalë për pronë private dhe jo publike.
“Sa i takon projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe zemërim në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep apo po e shet duke 'nxjerrë në shitje vendin'. Është pronë private.
Kjo është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, me të cilën, qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje”, tha ndër të tjera Rama për Al Jazeera.
Më herët kreu i qeverisë ka këmbëngulur se nuk ka ende një projekt për Zvërnecin. Versus.al

