Çfarë do të gjeni në brendësi
* Të shtëna me armë zjarri u raportuan mbrëmjen e djeshme në një jaht pranë Palasës. Me të marrë njoftimin, policia u nis drejt jahtit në një ndjekje që zgjati për rreth 2 orë. * Gjatë ndjekjes dy prej personave që ndodheshin në jaht tentuan të largoheshin me një gomone, ndërsa një tjetër u hodh në det, por u kap nga policia. * Katër persona u shoqëruan në komisariat, konkretisht, Bruno Çela, djali i Geront Çelës, Leonard Haso, Afrim Kastrati dhe Pashk Gjini, biznesmen i njohur si “El Chapo shqiptar” pasi dyshohet si i përfshirë në disa veprimtari kriminale. Pronar i jahtit rezulton Bruno Çela djali i Geront Çelës i cili zotëron pjesën më të madhe të aksioneve të Brunes. *I përfshirë në ngjarje dyshohet se ka qenë edhe ish-efektivi Astrit Gjonpalaj, pronar i “Globus Travel”. Por pas verifikimeve u la I lirë nga policia. *Mbetet mister fakti se në jaht nuk u gjet asnjë armë apo send I paligjshëm gjatë kontrolleve të policisë.
Darka e milionerëve në jaht, misteri i të shtënave në Palasë! Të përfshirë ish-polici i "Globus Travel", pronari i Brunes dhe “El Chapo shqiptar”
Detaje të reja janë mësuar lidhur me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Palasë ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri në jahtin ku ndodheshin disa biznesmenë. Jahti rezulton të jetë në pronësi të Geron Çelës, i cili është pronar i kompanisë “Brunes Group” ku ka aksione së bashku me vëllain e tij, Bledar Çelën.

Ky i fundit ndodhej në jaht dhe është mes personave të ndaluar së bashku me Leonard Hason, Afrim Kastratin dhe Pashk Gjinin.
Pashk Gjini, i cili njihet me nofkën “El Chapo shqiptar”, është biznesmen i përmendur ndër vite për hetime lidhur me trafikun e drogës apo çështje të tjera kriminale.
Në njoftimin e policisë nuk përmendet, por sipas informacioneve, është shoqëruar edhe Astrit Gjonpalaj, pronar i “Globus Travel”, i cili më parë ka qenë efektiv policie. Por mësohet se Gjonpalaj u la i lirë pasi nga verifikimet rezultoi se nuk kishte ndonjë lidhje me ngjarjen, e cila ende mbetet tejet e zymtë për faktin se pavarësisht të shtënave të dëgjuara, në jaht nuk u gjet asnjë armë zjarri. Versus.al
Zbrazën armët në jaht, policia nuk u gjeti gjë, dalin pamjet e 4 biznesmenëve! Njëri u hodh në det

Janë publikuar pamjet nga momenti kur jahti me 4 biznesmenë del në breg të Palasës pas ngjarjes së ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes së djeshme ku u raportuan të shtëna me armë zjarri.
Pavarësisht të shtënave, policia ka njoftuar se pas 2 orësh ndjekje të jahtit, personave që gjendeshin aty nuk iu gjet armë zjarri apo ndonjë send i paligjshëm. Biznesmenët Bruno (Geron) Çela, Leonard Haso, Afrim Kastrati dhe Pashk Gjini, ishin në jahtin ku u dëgjuan të shtënat.
Njëri prej tyre tentoi të largohej duke u hedhur në det, por u kap nga policia dhe shihet duke u tharë me peshqir. Ndërsa dy të tjerë tentuan të largoheshin me gomone, por hoqën dorë. Versus.al
Policia për të shtënat në jaht: 4 të ndaluarve nuk u gjetëm armë apo send të paligjshëm

Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e ndodhur në Palasë mbrëmjen e djeshme ku u dëgjuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht ku ndodheshin 4 persona.
Policia bën me dije se janë ndaluar katër persona, konkretisht: Bruno (Geron) Çela 31 vjeç, Leonard Haso, 31 vjeç, Afrim Kastrati 49 vjeç dhe Pashk Gjini, 60 vjeç. Por megjithatë, në njoftim thuhet se në jaht nuk u gjet armë zjarri dhe asnjë send i paligjshëm pavarësisht se personat kishin tentuar të largoheshin në mënyra të ndryshme.
Njoftimi i plotë:
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë Kufitare, Njësia Policore Detare, Delta Forcë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë/Stacionit të Policisë Dhërmi, si dhe grupet e Forcës Kombëtare të Sigurisë (FKS), u vunë në ndjekje të mjetit lundrues nga deti dhe toka, pasi jahti po lëvizte në drejtim të Himarës.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u bë e mundur ndalimi i jahtit në det, përballë Himarës, si dhe shoqërimi i tij së bashku me personat që ndodheshin në bord, konkretisht shtetasit B. C., 31 vjeç, L. H., 31 vjeç, A. K., 49 vjeç dhe P. Gj., 60 vjeç.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga Komisariati i Policisë Himarë, nën drejtimin e Prokurorisë, shërbimet e Policisë ushtruan kontroll në ambientet e jahtit dhe ndaj personave që ndodheshin në bord, ku nuk u konstatua asnjë send apo mjet i kundërligjshëm.
Nga grupi hetimor vijuan veprimet e mëtejshme procedurale, duke marrë deklarime në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, si dhe duke kryer ekspertimet për përcaktimin e faktorëve plotësues të qitjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, verifikimin e informacionit të marrë dhe dokumentimin ligjor të këtij rasti.
Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Të shtënat me armë nga jahti në Palasë, 4 persona të ndaluar! Njëri u hodh në det, 2 të tjerë tentuan të iknin me gomone

Vlorë- Mbrëmjen e djeshme u raportuan të shtëna me armë zjarri nga një jaht që lundronte në Palasë. Njoftimi rreth orës 21:00 vuri në lëvizje policinë kufitare dhe FNSH që u nisën në operacion për të ndaluar mjetin lundrues.
Pas shoqërimit të jahtit në kalatat e Porto Palermos, mësohet se policia ka ndaluar 4 persona që ndodheshin në bord. Sipas informacioneve paraprake, janë ndaluar: B. Çela, A.Kastrati, H. Noku dhe L.Haso.
Jahti ishte nisur për në Greqi, por më pas ndryshoi kurs. Gjatë ndjekjes së policisë, njëri prej personave u hodh në det, por më pas u kap nga policia kufitare. Dy persona të tjerë tentuan të iknin me gomone, por pasi panë policinë u kthyen sërish drejt jahtit. Në përpjekje për t’ju shmangur policisë, jahti fiku dritat dhe vijoi të lëvizte në det.
Pritet njoftimi zyrtar i policisë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe të shtënave me armë zjarri. Versus.al

