Çfarë do të gjeni në brendësi
*Situata vijon të jetë kritike në Finiq dhe Delvinë, ku zjarri po përhapet me shpejtësi i favorizuar nga era e fortë. *Flakët janë afruar drejt Mesopotamit, Kostarit dhe Vllahatin, duke rrezikuar zonat e banuara. Në disa zona ka nisur edhe evakuimi i banorëve. *Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë me dije se operacioni vijon nga toka dhe ajri, me angazhimin e zjarrfikësve, Policisë, Forcave të Armatosura dhe tre helikopterëve. *Lamallari u ka bërë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve, ndërsa thekson se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e pasurive të rrezikuara.
Zjarret në Delvinë dhe Finiq, Nufi: Flakët nën kontroll falë ndërhyrjes së Forcave të Armatosura dhe pilotëve të Forcave Ajrore

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ka reaguar pas situatës së krijuar nga zjarret në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq, duke vlerësuar punën e forcave të angazhuara në operacion.
Nufi bëri me dije se tre helikopterë të Forcave Ajrore kanë ndërhyrë njëkohësisht për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa falë koordinimit të strukturave qendrore dhe vendore, situata është vënë nën kontroll.
Ministri Nufi falënderoi pilotët, zjarrfikësit, efektivët e Policisë dhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura për angazhimin në terren.
“Çdo ndërhyrje, çdo fluturim, çdo minutë ka një mision: të mbrojmë jetën, banesat dhe natyrën”, u shpreh Nufi.
Operacioni është koordinuar nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, ndërsa strukturat vijojnë monitorimin e zonave të prekura për të shmangur riaktivizimin e vatrave të zjarrit.
Zjarri në Finiq, nis evakuimi i banorëve. Lamallari: Operacioni vijon pa ndërprerje

Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka reaguar për situatën e krijuar nga zjarret e përmasave të mëdha në disa fshatra të Finiqit dhe Delvinës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Lamallari ka publikuar pamje nga evakuimi i banorëve të zonave të rrezikuara dhe ka bërë me dije se të gjitha strukturat shtetërore janë angazhuar në terren.
Sipas ministrit, operacioni për përballimin e situatës po vijon pa ndërprerje, me ndërhyrje nga toka dhe ajri. Në operacion janë angazhuar forcat zjarrfikëse, Policia e Shtetit, Forcat e Armatosura, shërbimet vendore dhe tre helikopterë.
“Prej orësh po përballemi me një situatë të vështirë nga zjarret në disa fshatra të Delvinës dhe Finiqit. Të gjitha strukturat tona janë në terren dhe operacioni vijon pa ndërprerje, si nga toka ashtu edhe nga ajri”, shkruan Lamallari.
Ministri thekson se mbrojtja e jetës së qytetarëve është prioriteti absolut, së bashku me mbrojtjen e banesave dhe pasurive të rrezikuara nga flakët.
Në reagimin e tij, Lamallari u bën apel banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin çdo veprim që mund të krijojë rrezik shtesë për ta apo ekipet e angazhuara në operacion.
Ndërkohë, ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon në zonat e prekura, ndërsa autoritetet po monitorojnë situatën për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të zjarrit./Versus.al
Zjarri në Finiq/ Mbi 130 forca dhe 3 helikopterë në terren, vijon lufta me flakët

Vijon operacioni për shuarjen e zjarrit në territorin e Bashkisë Finiq, ndërsa Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka angazhuar forca të shumta në terren dhe mjete ajrore për izolimin e flakëve.
Sipas AKMC-së, në operacion po marrin pjesë forcat zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, 60 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja po zhvillohet edhe nga ajri, ku Forcat e Armatosura kanë angazhuar tre helikopterë, dy Cougar dhe një Black Hawk.
Helikopterët po kryejnë ndërhyrje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të emergjencave.
AKMC bën me dije se të gjitha strukturat operacionale janë në koordinim të plotë dhe po punojnë për vendosjen e situatës nën kontroll.
Sipas autoriteteve, aktualisht nuk rrezikohen banesat dhe jeta e banorëve në zonat përreth. Megjithatë, ndërhyrja nga toka dhe ajri vijon intensivisht për shkak të përhapjes së flakëve.
Forcat në terren do të vijojnë operacionin deri në izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave aktive./Versus.al

