Çfarë do të gjeni në brendësi
Zjarret përfshijnë Matin, disa vatra aktive në Madhesh, Shkopet, Lundër dhe Vargmalin e Skënderbeut

Situata vijon të jetë problematike në rrethin e Matit, ku disa vatra zjarri mbeten aktive dhe flakët janë përhapur në zona të ndryshme.
Vatrat janë evidentuar në Madhesh, Shkopet, Lundër dhe Vargmalin e Skënderbeut, duke rrezikuar sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Një tjetër vatër shqetësuese është regjistruar në afërsi të Balgjajt, ku flakët vijojnë të përhapen dhe të djegin sipërfaqe të mëdha. Terreni i vështirë po e komplikon ndërhyrjen dhe përpjekjet për izolimin e zjarrit.
Strukturat e emergjencave dhe shërbimet në terren vijojnë monitorimin e situatës dhe punën për vënien nën kontroll të vatrave. Prioritet mbetet ndalimi i përhapjes së flakëve dhe mbrojtja e sipërfaqeve pyjore./Versus.al
VIDEO/ Zjarret e qëllimshme në Fier, dy persona arrestohen në flagrancë, dy të tjerë procedohen penalisht

Dy persona janë arrestuar në flagrancë dhe dy të tjerë janë proceduar penalisht në Fier, pasi dyshohet se kanë shkaktuar qëllimisht zjarre në zona të ndryshme të qarkut.
Policia e Fierit ka intensifikuar kontrollet në territor, në kuadër të masave për parandalimin e zjarrvënieve dhe identifikimin e autorëve, ndërsa gjatë monitorimit janë kapur në flagrancë dy persona duke ndezur zjarre.
Në fshatin Eskaj të Lushnjës, në pranga ka rënë një 60-vjeçar me inicialet K. B. Ai është konstatuar duke i vënë zjarrin tokës që kishte marrë me qira.
Rasti i dytë është regjistruar në zonën e mbrojtur Divjakë-Karavasta, në fshatin Hasturkas. Policia ka arrestuar një 25-vjeçar nga Fieri, me inicialet E. S., i cili dyshohet se ka shkaktuar zjarrin në grykëderdhjen e lumit Seman.
Flakët kanë përfshirë bimësi dhe një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore, pjesë e zonave të mbrojtura, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në territor.
Ndërkohë, autoritetet vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rasteve dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përgjegjës për zjarrvëniet në qarkun e Fierit.
Gjithashtu, u proceduan penalisht, për shkak të moshës, dy shtetas, përkatësisht 71 dhe 77 vjeç, pasi dyshohet se kanë ndezur zjarre në tokat e tyre, në fshatin Varibop, Fier, dhe në fshatin Çërrilë, Mallakastër. Si pasojë e erës së fortë, zjarret kanë dalë jashtë kontrollit, duke përfshirë sipërfaqe me bimësi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, në ngarkim të shtetasve të mësipërm.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarre, pasi pasojat mund të jenë të rënda për jetën e njerëzve, pronën dhe mjedisin.
Në mënyrë të veçantë, Policia apelon për banorët që djegin mbetje bujqësore apo kryejnë pastrimin e tokave dhe territoreve nëpërmjet djegies, që të shmangin këto praktika, pasi mund të shkaktojnë përhapjen e pakontrolluar të zjarreve dhe do të përballen me përgjegjësi ligjore.
Flakët përfshijnë Shqipërinë, 14 vatra ende aktive! Zjarrfikësit në luftë me zjarret nga toka dhe ajri

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 44 vatra zjarri, nga të cilat 14 mbeten aktive, 9 janë nën mbikëqyrje dhe 21 janë shuar.
Në operacione janë angazhuar 636 forca vendore dhe 67 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura kanë mbështetur me 329 efektivë, mjete të shumta, 6 operacione me helikopterë, 1 avion Air Tractor dhe 1 dron.
Situatat kryesore aktive janë:
* Shkodër: vijon aktive vatra Bardhaj–Myselim, me angazhim nga toka e ajri, përfshirë 71 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Aktive janë gjithashtu vatrat në Mnelë të Vogël, Naraç dhe malin e Tërbunit, ku janë angazhuar edhe 50 forca ushtarake. Zjarri në Bërdicë është nën mbikëqyrje dhe nuk paraqet rrezik për banesat.
* Tiranë: aktive vijojnë zjarret në Malin e Dajtit, Kryezi të Kavajës dhe Selitë e Malit. Në Dajt janë angazhuar 82 efektivë dhe 1 helikopter i FA, ndërsa në Kryezi është përdorur edhe 1 avion Air Tractor.
* Dibër: aktive janë vatrat në Vajkal, Lundre–Madhesh, Qafën e Helmes dhe Cerrujë. Vatra Lundre–Madhesh po mbështetet edhe nga FA.
* Lezhë: aktive mbeten vatrat në Gallatë dhe Kalivaç–Zimaj–Kashnjet; në këtë të fundit janë angazhuar edhe 63 efektivë dhe 2 helikopterë të FA. Nuk raportohen banesa në rrezik.
* Berat: aktive vijon vatra në Vokopolë, ndërsa zjarri në lagjen Kala është shuar.
Në qarqet e tjera, disa vatra janë shuar ose mbahen nën mbikëqyrje, përfshirë ato në Korçë, Elbasan, Vlorë, Durrës, Fier dhe Kukës.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave, pasurisë së qytetarëve dhe mjedisit./Versus.al
Zjarret mbajnë në alarm Shkodrën, disa vatra vijojnë aktive në Pukë dhe Vau Dejës

Qarku i Shkodrës vijon të përballet me vatra zjarri në disa zona, ndërsa gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit forcat në terren kanë vijuar punën për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave.
Në Bardhaj-Myselim, në Shkodër, zjarri mbetet aktiv dhe ka përfshirë sipërfaqe pyjore. Zjarrfikëset vijojnë të qëndrojnë pranë zonave të banuara, me qëllim parandalimin e përhapjes së flakëve drejt banesave.
Situatë e vështirë paraqitet edhe në Mnelë të Madhe, në Bashkinë Vau Dejës.
Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, ndërsa forcat e angazhuara po përqendrohen te mbrojtja e banesave dhe e zonave të banuara.
Një tjetër vatër është evidentuar në Naraç, ku strukturat e emergjencave po monitorojnë situatën.
Në Pukë, problematika kryesore mbetet Mali i Tërbunit.
Flakët po favorizohen nga erërat e forta, ndërsa fronti i zjarrit shtrihet për më shumë se 10 kilometra përgjatë kurorës pyjore.
Pavarësisht përmasave të zjarrit, deri tani nuk raportohet rrezik për banesat.
Në Fushë-Arrëz, zjarri në Kulumri është shuar, ndërsa zona vijon të monitorohet për të shmangur ndonjë riaktivizim. Një tjetër vatër mbetet aktive në zonën Iballë-Fierzë, ku terreni i thyer dhe vështirësisht i aksesueshëm po pengon ndërhyrjen nga toka.
Në përballimin e situatës janë angazhuar forcat zjarrfikëse, ushtria, shërbimet pyjore dhe strukturat e emergjencave civile. Puna e tyre është përqendruar kryesisht në izolimin e vatrave dhe garantimin e sigurisë së banorëve.
Ndërkohë, era e fortë mbetet një prej faktorëve kryesorë që favorizon përhapjen e flakëve, ndaj zonat problematike po mbahen nën monitorim të vazhdueshëm./Versus.al

