MAGAZINË /

E rrallë / Prifti i 40 mrekullive në Shkodër, pse u zhvarrosen eshtrat e Atë Nikollë Kolajt pas 70 viteve...

Nesër do të përcillen për nderim eshtrat e fratit që shumë njerëz në Shkodër e quajnë ende “shenjtori i heshtur” – njeriu për të cilin flitet se bëri mrekulli si në jetë, ashtu edhe pas vdekjes.

Shkruar nga Versus

E rrallë / Prifti i 40 mrekullive në Shkodër, pse u zhvarrosen

Në heshtjen e rëndë të rastit, mes lutjeve të ulëta dhe syve kuriozë, u hap pas më shumë se shtatë dekadash varri i Atë Nikollë Kolaj, fratit për të cilin banorët e zonës së Shkodrës flasin ende me zë të dridhur, sikur ai të mos ishte larguar kurrë.

Në Dajç, aty ku gjatë komunizmit besimtarët ndalonin fshehurazi për t’u lutur pranë varrit të tij, pas ditë më parë u mblodhën dhjetëra njerëz për të dëshmuar një moment që shumë e konsiderojnë historik, por edhe mistik. Për dekada me radhë ishte përhapur fjala se regjimi komunist kishte zhdukur eshtrat e tij për të ndalur pelegrinazhet dhe lutjet që vazhdonin edhe pas vdekjes së fratit. Por ajo që u zbulua rrëzoi çdo dyshim.

Eshtrat ishin aty.

Pranë tyre u gjet një trupore e vogël e Shën Ndou, të cilën dëshmitarët kujtojnë se Atë Nikolla e mbante gjithmonë në duar gjatë lutjeve të tij. Dy unaza metalike, ku varej rozarja e fratit, u gjetën po ashtu mes zhgunjit të kalbur nga koha, si një dëshmi e heshtur se aty kishte pushuar prej dekadash një shërbëtor i Zotit.

Të pranishëm në ceremoninë e hapjes së varrit ishin Giovanni Peragine, Atë Pashko Gojçaj dhe dhjetëra besimtarë që prej vitesh ruajnë histori të pashpjegueshme për hirin e Atë Nikollës. Deri më sot janë mbledhur dëshmitë e më shumë se 40 personave që pretendojnë se kanë përjetuar mrekulli, shërime apo përgjigje të pashpjegueshme pas lutjeve drejtuar tij.

Në zonën e Pentarit, emri i tij ende përmendet me një lloj frike të shenjtë. Të moshuarit tregojnë se njerëzit vinin nga larg për ta takuar, për t’i kërkuar lutje apo për të dëgjuar fjalët e tij. Shumë besonin se ai shihte atë që të tjerët nuk mund ta shihnin.

E rrallë / Prifti i 40 mrekullive në Shkodër, pse u zhvarrosen
Por ajo që e ka kthyer figurën e Atë Nikollë Kolaj në një legjendë që vazhdon të jetojë edhe sot janë rrëfimet e panumërta për mrekullitë që lidhen me emrin e tij. Në zonën e Shkodrës, të moshuarit tregojnë ende me bindje se frati bekonte të sëmurë dhe se shumë njerëz gjenin shërim pas lutjeve të tij. Veçanërisht përmenden rastet e personave që vuanin nga epilepsia apo nga gjendje që banorët e kohës i quanin “forca të errëta”, për të cilat besohej se At Nikolla kishte një dhunti të veçantë çlirimi përmes lutjes.

Mes dëshmive që kanë mbërritur deri në ditët e sotme, përmendet edhe historia e një burri mysliman, tashmë rreth 90 vjeç, i cili thuhet se përjetoi një ndryshim të jashtëzakonshëm pas takimit me fratin. Banorët tregojnë se ai vetë e konsideronte atë moment si pikën që i ndryshoi jetën përgjithmonë.

Një tjetër histori që pëshpëritet ende pranë varrit të tij është ajo e një nëne të dëshpëruar, djali i së cilës nuk fliste prej vitesh. Gruaja shkonte çdo ditë të lutej pranë varrit të At Nikollës dhe, sipas dëshmisë së familjarëve, pas një kohe të shkurtër fëmija nisi të shqiptonte fjalët e para.

Por ndoshta pjesa më misterioze e gjithë historisë mbetet një fjali që frati kishte lënë para vdekjes së tij dhe që sot shumë besimtarë e quajnë profetike. “Dhjetë vite pasi të vdes, ma hapni varrin dhe atë që do të gjeni, njoftoni ipeshkvin e Shkodrës”, kishte thënë ai.

E rrallë / Prifti i 40 mrekullive në Shkodër, pse u zhvarrosen

Tani, 70 vite pas vdekjes, historia e tij duket se është rikthyer më e gjallë se kurrë.

Në pritje të sistemimit të një varri të denjë për figurën e tij, eshtrat e Atë Nikollës do të qëndrojnë në kapelën e qelës famullitare të Dajçit, ku besimtarët do të kenë mundësi të luten pranë arkivolit.

Ndërsa nesër, të hënën e 25 majit në Pentar, vendi ku ai shërbeu dhe ku nisi fama e tij si “prifti i mrekullive”, do të mbahet Mesha e Shenjtë dhe nderimi i eshtrave të fratit që shumë besojnë se nuk reshti kurrë së bekuari njerëzit, as pas vdekjes.

Poll