
Më 19 korrik luhet finalja e madhe e Kupës së Botës 2026, ndeshja që do të shpallë skuadrën që do të mbajë kurorën e futbollit botëror për katër vitet e ardhshme.
Gjithçka është gati në 'MetLife Stadium' në New Jersey për spektaklin e të dielës, por vëmendjen nuk po e tërheq vetëm futbolli. Çmimet e biletave kanë arritur nivele rekord, duke shkaktuar polemika të mëdha.
Sipas raportimeve nga mediet ndërkombëtare, në tregun e rishitjes disa bileta kanë kaluar vlerën e 32 mijë dollarëve, ndërsa ofertat më ekstreme kanë shkuar deri në 2 milionë dollarë, një shifër që tregon 'ethet' për të qenë i pranishëm në finalen e Botërorit.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka komentuar situatën me ironi, duke u përgjigjur kritikave se tifozët që do të paguajnë këto shuma të larta do të kenë të përfshirë edhe një hot dog dhe një pije.
Ndërkohë, analiza e platformës 'SeatPick' tregon se aktualisht bileta më e lirë për finalen kushton rreth 4.451 euro, ndërsa vendet më luksoze arrijnë në afro 190 mijë euro, duke e bërë finalen e Botërorit 2026 një nga ngjarjet sportive më të shtrenjta për t'u ndjekur nga afër.

