Në një moment ku koha kishte nisur numërimin mbrapsht, duke marrë formën e saj më të rëndë, një 66-vjeçare nga Laçi pati shansin për të vazhduar betejën e saj për jetën.
Kjo falë fondacionit Domi, i cili ju përgjigj një thirrje krejtësisht njerëzore të bërë nga Versus.al, për ti shpëtuar jetën një zonje në luftë me një sëmundje të rëndë, e cila ka humbur një djalë nga një formë tumori në kokë, ndërsa e bija e ka sfiduar të keqen 4 herë dhe ende ka nevojë për terapi edhe ajo.
E ndërsa jeta e një nënë ishte në fill të perit, “dora” e fondacionit Domi bëri mrekullinë e shumëpritur.
Në Spitalin “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, u realizua me sukses një ndërhyrje kirurgjikale e domosdoshme për një sëmundje të rëndë, një procedurë që nuk mund të priste më gjatë.
Për pacienten, kjo nuk ishte thjesht një operacion, por një pikë kthese mes pasigurisë dhe mundësisë për rikuperim.
Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë. Përveç gjendjes shëndetësore të rënduar, rasti ishte i shoqëruar edhe me vështirësi që rrezikonin shtyrjen e trajtimit në kohë. Në këto kushte, ndërhyrja e menjëhershme u bë vendimtare.
Në këtë moment delikat, "Fondacioni Domi" kontribuoi drejtpërdrejt, duke bërë të mundur realizimin e operacionit pa vonesë dhe sigurimin e vijimësisë së trajtimit mjekësor.
“Çdo rast ka një histori më vete. Aty ku ndihma konkrete mund të ndryshojë rrjedhën e një jete, për ne është detyrim të jemi pranë,” - u shprehën përfaqësues të fondacionit.
Fondacioni Domi, pjesë e Atlas Corporation, mbetet i angazhuar në mbështetjen e rasteve të tilla, duke ndihmuar në përballimin e situatave të vështira për individë në nevojë. Ky rast dëshmon rëndësinë e mbështetjes konkrete, e cila bëri të mundur realizimin e ndërhyrjes në kohë dhe vijimin e trajtimit pa ndërprerje.
Sot, pacientja ndodhet në fazën e rikuperimit, në një gjendje më të qëndrueshme dhe me një rrugë të re përpara saj, atë të jetës që deri dje dukej se po shuhej... / Versus

