MAGAZINË /

Samir Mane në Panairin e Librit 2025: “Fjalori i Teknologjisë së Informacionit”, një kontribut për gjuhën dhe arsimin shqiptar

Shkruar nga Versus

Samir Mane në Panairin e Librit 2025: “Fjalori i Teknologjisë

“Fjalori i Teknologjisë së Informacionit” prezantohet në Panairin e Librit 2025, si botimi që u vjen në ndihmë studentëve por dhe gjithë të apasionuarve pas fjalëve dhe shprehjeve të profilizuara por që sot përdoren gjerësisht nga publiku. Punën për fjalorin shqip-anglisht dhe anglisht-shqip e ka mbështetur Fondacioni Mane.

Themeluesi i tij, Samir Mane, bisedoi me autorët dhe lexuesit që shprehnin interes gjatë vizitës që ai bëri në panair. 

Kjo vepër, rezultat i disa viteve kërkimi nga Erion Çano dhe Edmond Tupja, përmban mbi 6,000 fjalë dhe ofron një qasje të thelluar shkencore për terminologjinë e teknologjisë së informacionit.

Gjatë takimit me ta, Samir Mane vlerësoi punën e përkushtuar të autorëve dhe bëri të ditur se Fondacioni Mane do t’u dhurojë universiteteve një numër kopjesh të fjalorit, në mënyrë që sa më shumë të rinj të kenë mundësi ta konsultojnë.

“Unë besoj tek teknologjia dhe progresi që sjell, megjithatë ajo tingëllon më mirë nëse kushdo i afrohet me përshtatjet e fjalëve në gjuhën e vet” u shpreh Samir Mane.

Ai shtoi se fjalori do të shërbejë si burim shtesë njohurish edhe për specialistët e teknologjisë së informacionit në kompanitë e Grupit BALFIN, duke e cilësuar botimin si një instrument të rëndësishëm profesional dhe kulturor ndërmjet teknologjisë dhe gjuhës shqipe.

Studiuesi Erion Çano, ekspert i gjuhësisë kompjuterike, theksoi punën e gjatë studimore dhe shprehu kënaqësinë për pritjen që lexuesi i ka bërë.

Ai përmendi disa nga zhvillimet e jashtëzakonshme që po ndodhin sot në fushën e teknologjisë së informacionit dhe veçanërisht inteligjencës artificiale, duke theksuar se fjalori i teknologjisë së informacionit dhe botime të ngjashme ndihmojnë shumë për të qenë të përditësuar me këto risi.

Ndërsa gjuhëtari dhe përkthyesi Edmond Tupja theksoi rëndësinë e ruajtjes së pastërtisë së gjuhës shqipe në një kohë kur ndikimi i termave të huaj në përditshmëri po rritet.

Ai u bën thirrje me doza humori të gjithë të rinjve që të vizitojnë panairin e librit, sepse, siç do të thoshte Shekspiri, "të lexosh a të mos lexosh, kjo është çështja".

Fondacioni Mane ka vendosur edukimin në qendër të misionit, që prej themelimit në 2023. Fondacioni ka mbështetur shumë iniciativa për përmirësimin e sistemit arsimor, nga pajisja e universiteteve me laboratorë modernë, rinovimi i shkollave dhe kopshteve, deri te përfshirja e profesionistëve të Grupit BALFIN për të ndarë ekspertizën e tyre me studentët në të gjithë vendin.

Poll