POLITIKË /

"Mobilizimi më i madh qytetar", raporti i KE për protestat në vend: Ka pakënaqësi! Duhet dialog konstruktiv

Pavarësisht refuzimeve të protestuesve për të dialoguar me Ramën, raporti i KE thotë se duhet që palët të ulen në diskutime konstruktive për zgjidhjen e krizës.

Shkruar nga Versus

"Mobilizimi më i madh qytetar", raporti i KE për protestat

Foto gjatë protestave në muajin qershor

Pas prezantimit të paketës së zgjerimit të BE nga komisionerja Marta Kos, është publikuar edhe progress raporti i Komisionit Evropian përsa i takon protestave që vijojnë në Shqipëri që prej muajit maj të këtij viti.

Duke e konsideruar si “mobilizimi më i madh qytetar”, raporti flet për shqetësimet e ngritura nga protestuesit të cilat nisën me projektin e Zvërnecit dhe më pas vijuan me shprehjen e pakënaqësisë ndaj qeverisë dhe opozitës. 

Ndërsa duke trajtuar përshkallëzimin e protestave në javët e fundit, Komisioni Europian bën thirrje për uljen e palëve në dialog konstruktiv për zgjidhjen e krizës. 

“Që nga maji i vitit 2026, në Tiranë po zhvillohen protesta të përditshme. Ky është mobilizimi më i madh qytetar që prej tranzicionit demokratik të Shqipërisë, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës në kulmin e protestave. Ato nisën për shqetësime mjedisore të lidhura me punimet e ndërtimit në peizazhin e mbrojtur Pishë Poro–Nartë dhe kërkuan më shumë transparencë në dhënien e lejeve për projekte të përmasave të mëdha, përfshirë konsultimin me popullsinë vendase.

Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë pakënaqësie ndaj qeverisë dhe partisë kryesore të opozitës, duke kërkuar më shumë transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe mirëqeverisje. Ato ngritën gjithashtu shqetësime për koston e jetesës dhe mungesën e investimeve në fusha si arsimi dhe shëndetësia.

Në shtator të vitit 2026, qeveria ndërmori një nismë për përmirësimin e procesit të konsultimit publik dhe të aksesit në informacion.

Në vijim të lëvizjes qytetare, në tetor të vitit 2026 u zhvilluan protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Protestuesit shkatërruan prona publike dhe private, ndërsa më pas u ngritën pretendime për përdorim të tepruar të dhunës nga policia ndaj protestuesve dhe gazetarëve. Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”- thuhet mes të tjerash në raport. Versus.al

Poll