EKONOMI & MJEDIS /

Nga rrugët, tek porti i Porto Romanos dhe aeroporti i Gjirokastrës, Karakaçi tregon si do të shpenzohen 75.4 mld lekë nga buxheti i MIE për 2027

Karakaçi bëri të ditur se në vitin 2027 do të vijojë financimi për akset Elbasan-Qafë Thanë, Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja të projektit Tiranë-Durrës, si dhe ndërhyrjet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa. Një tjetër ndërhyrje e parashikuar lidhet me stabilizimin e segmentit Librazhd-Qafë Thanë.

Shkruar nga Versus

Nga rrugët, tek porti i Porto Romanos dhe aeroporti i Gjirokastrës,

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të ketë në dispozicion rreth 75.45 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit 2027. Ministri Enea Karakaçi prezantoi në Komisionin e Burimeve Natyrore ndarjen e fondeve sipas programeve dhe investimet që parashikohen të financohen gjatë vitit të ardhshëm.

Pjesa më e madhe e buxhetit do të shkojë për transportin rrugor, ku janë parashikuar 35.15 miliardë lekë. Sipas ministrit, prioritet do të kenë akset që lidhen me Korridorin VIII dhe Korridorin Blu, si dhe projektet që synojnë përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore brenda vendit dhe me rajonin.

Gjatë prezantimit, Karakaçi bëri të ditur se në vitin 2027 do të vijojë financimi për akset Elbasan-Qafë Thanë, Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja të projektit Tiranë-Durrës, si dhe ndërhyrjet në aksin Tiranë-Ndroq-Plepa. Një tjetër ndërhyrje e parashikuar lidhet me stabilizimin e segmentit Librazhd-Qafë Thanë.

Sa i përket By-pass-it të Tiranës, ministri tha se punimet për fazën e parë, me gjatësi 10 kilometra, janë në vijim, ndërsa për fazat e mëtejshme pritet të sigurohet edhe financimi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Për këtë program kemi 35.15 miliardë lekë buxhet për këtë vit, ku 90% është financim i brendshëm dhe 10% i huaj. Për vitin 2027, prioritet do të kenë Elbasan-Qafë Thanë, Ura e Grykshit-Peqin, fazat e reja Tiranë-Durrës, akset e tjera të Tiranë-Ndroq-Plepa, si dhe ndërhyrjet për stabilizimin e aksit Librazhd-Qafë Thanë”, deklaroi Karakaçi.

Hekurudhat, 9.49 miliardë lekë buxhet

Një tjetër zë i rëndësishëm i investimeve është transporti hekurudhor, për të cilin janë parashikuar 9.49 miliardë lekë. Sipas ministrit, 73% e financimit për këtë program do të vijë nga burime të huaja, përmes granteve dhe kredive.

Për periudhën 2027-2029, projektet hekurudhore të mbështetura me financim të huaj kapin vlerën 62.6 miliardë lekë. Prioritet do të jetë avancimi i korridoreve strategjike Vorë-Hani i Hotit, Durrës-Rrogozhinë dhe Durrës-Tiranë-Rinas.

Gjatë raportimit në komision, Karakaçi dha gjithashtu shpjegime për ecurinë e projektit hekurudhor Tiranë-Durrës dhe devijimin drejt aeroportit të Rinasit, duke argumentuar se vonesat lidhen me faktin se projekti fillestar ishte miratuar pa disa komponentë të rëndësishëm.

Sipas tij, projekti në fazën e parë parashikonte vetëm ndërtimin e shinave hekurudhore, pa përfshirë stacionet, depot dhe elektrifikimin e linjës. Këto elemente janë shtuar më vonë, duke sjellë nevojën për procedura dhe financime të tjera.

Aktualisht, stacionet janë realizuar në masën 70%, ndërsa punimet fizike për shinat kanë arritur në 90%. Për komponentin e elektrifikimit është siguruar huaja dhe është zhvilluar tenderi, ndërsa pritet miratimi i kontratës. Pas kësaj, sipas ministrit, do të nevojiten edhe 14 muaj për përfundimin e punimeve.

Linja hekurudhore Tiranë-Durrës, së bashku me lidhjen me aeroportin e Rinasit, pritet të vihet në shërbim të qytetarëve në vitin 2028.

Aeroporti i Gjirokastrës, 230 milionë lekë për studimin e fizibilitetit

Në programin e transportit ajror, një nga projektet e reja të parashikuara për vitin 2027 është aeroporti i Gjirokastrës. Për këtë investim janë planifikuar 230 milionë lekë, të cilat do të përdoren për studimin e fizibilitetit.

Fillimisht, projekti për aeroportin e katërt të vendit ishte parashikuar të zhvillohej në Sarandë, por më pas vendndodhja u ndryshua dhe tashmë është përcaktuar Gjirokastra.

“Në transportin ajror, në vitin 2027 hapim një perspektivë të re për jugun e vendit, duke financuar me 230 milionë lekë studimin e fizibilitetit për aeroportin e Gjirokastrës”, deklaroi ministri.

Në programin e politikave prioritare, kostoja e përgjithshme e këtij projekti është përllogaritur në rreth 34 milionë euro. Megjithatë, për vitin e ardhshëm është parashikuar vetëm financimi i studimit fillestar, që do të përcaktojë fizibilitetin e investimit.

Porti i ri në Porto Romano, 9.94 miliardë lekë në vitin 2027

Një tjetër projekt me peshë në buxhetin e vitit të ardhshëm është ndërtimi i Portit të Ri Tregtar të Integruar në Porto Romano. Për fazën e parë të këtij investimi janë parashikuar 9.94 miliardë lekë për vitin 2027.

Projekti, i cili synohet të përfundojë brenda vitit 2029, ka një vlerë totale prej 47.1 miliardë lekësh.

Ministri Karakaçi konfirmoi se qeveria do të vijojë me këtë projekt, pavarësisht vështirësive të hasura në procedurat e prokurimit. Ai bëri të ditur se dy procedura prokurimi nuk kanë përfunduar me sukses.

“Në transportin detar vijon të jetë i financuar porti i ri tregtar në Porto Romano, faza e parë, me synim zhvillimin e tij. Nuk kemi qenë të suksesshëm në dy faza prokurimi, por ky është vizion i qeverisë shqiptare për të vijuar me këtë projekt”, u shpreh ministri.

Tenderi për ndërtimin e portit u anulua gjatë këtij viti, pasi kompania e vetme që kishte mbetur në garë u tërhoq dhe nuk paraqiti ofertë financiare.

Në të njëjtën zonë të Porto Romanos është parashikuar edhe ndërtimi i Bazës së NATO-s, për të cilën në projektbuxhetin e vitit 2027 janë planifikuar 1 miliard lekë financim nga buxheti i shtetit.

Kështu, investimet në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, ajrore dhe detare përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për vitin 2027, me projekte që shtrihen në disa vite dhe që synojnë ndryshimin e infrastrukturës së transportit në vend.

Poll