OPINION /

7 ditë revoltë e kaos në Shqipëri, asnjëra palë nuk tërhiqet! Po tani?!

Çdo ditë që zbardh në Tiranë duket si preludi i frikshëm i një nate që do të ngryset me viktima. Psherëtimat e lehtësuara të dhjetëra familjeve të protestuesve dhe efektivëve të policisë duken si një lutje për ditën që do të vijë.

Shkruar nga Versus
7 ditë revoltë e kaos në Shqipëri, asnjëra palë
Foto nga protesta e studentëve

Prej shtatë ditësh, e gjithë Shqipëria është përfshirë nga një revoltë e dhunshme e cila u ndez me 13 tetor gjatë një proteste të studentëve e cili nisi me disa kërkesa para Ministrisë së Arsimit. Disa xhama të thyer dhe një flakë në një nga zyrat e kësaj ministrie, vuri në sprovë shtetin, e na la të gjithëve pa frymë.

Pamjet e përplasjeve mes studentëve të pranishëm dhe efektivëve të policisë, u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale dhe rizgjuan revoltën e shqiptarëve të cilët protestonin paqësisht para kryeministrisë prej 135 ditësh.

Një ditë pas përplasjeve para ministrisë së Arsimit, në shesh nuk ishin më vetëm studentët. Lajme vinin nga disa gjimnaze të Tiranës ku dhjetëra e qindra të rinj po bojkotonin mësimin dhe po marshonin rrugëve për tu bashkuar me grupet e protestuesve.

Për ata që kanë përjetuar revoltën e studentëve të ’91-shit, të 97’s dhe 21 janarit 2011, ‘déjà vu’ po kërciste fort.

Në pak orë të gjithë ishim dëshmitarë të një vale dhune të frikshme në rrugët kryesore të kryqyetit; të rinj të gjakosur, policë të gjakosur, institucione dhe biznese në flakë. Pamjet nuk bënë vetëm xhiron e Shqipërisë. Bota po dëshmon një lëvizje të ashpër të të ashtuquajurës gjenerata Z. Shqipëria në këtë ‘paradë’ protestash po kontribuonte në mënyrë domethënëse. As apelet e Policisë së Shtetit, e cila ishte në vijën e parë të një dhune të paprecedentë, as apelet e qeverisë dhe as ato të trupave diplomatikë në vend, nuk e ulëm ritmin e një ‘trupe’ të rinjsh të cilët sapo e kishin nisur revanshin e tyre. Shumë prej tyre me maska, llastiqe me saçme hekuri e me vonë dhe molotov kërkonin rrëzimin e qeverisë si një shenjë pakënaqësie për një çarje të thellë në barazinë sociale, gjendjen e arsimit dhe situatën ekonomike brenda familjeve të tyre.

Në ditën e tretë, flaka ishte kthyer në nje zjarr që po thithte gjithçka; gjimnazistë e studentë në disa rrethe të vendit kthyen rrugët në arena betejash, kaosi e dhune.

Jemi në ditën e 7 të protestës, ndërsa një natë më parë pamjet nga Tirana ishin surreale: Mbetje infrastrukture të shqyer, automjete të rënda, trotuarë me gurë, shishe molotovësh të djegur e bombola gazi të përdorura, semaforë të shkatërruar dhe pasiguri mes qindra mijëra qytetarëve. Komisariatet dhe spitalet janë plot, askush nuk mund të thojë sa hyjnë e sa dalin brenda 24 orëve. Çdo ditë që zbardh në Tiranë duket si preludi i frikshëm i një nate që do të ngryset me viktima. Psherëtimat e lehtësuara të dhjetëra familjeve të protestuesve dhe efektivëve të policisë duken si një lutje për ditën që do të vijë. Dhe e vetmja pyetje është po tani?! Protestuesit shohin vetëm një armik: qeverinë, ndërsa qeveria sheh përballë kërcënimin për rënien e republikës. Pas një jave përplasjesh dhe dëm njerëzor e ekonomik të pallogaritshëm, palët janë vendosur përballë dhe asnjëra nuk duket se ka ndërmend të bëjë pas, dhe sërish jemi: Po tani?! 

Poll