
Në nisje të Konferencës së kryetarëve në byronë e Kuvendit mbi prezantimin e ministrit të Financave për projektbuxhetin, pati përplasje mes Taulant Ballës dhe deputetes së PD, Jorida Tabakut pasi kjo e fundit kërkoi që së bashku me buxhetin të diskutohej edhe paketa fiskale.
‘’Nuk mund të nisim diskutimet për projektbuxhetin pa paketën fiskale. Zoti kryetar unë gjykoj që është jo vetëm cështje rregulloreje, por edhe çështje tradite dhe e qeverisjes së mirë, por mbi të gjitha trasnparencë ndaj qytetarëve. Nuk mund të diskutojmë një projetbuxhet që supozon efekte financiare që vijnë nga paketa fiskale që nuk është këtu. Qeveria në çdo mbledhje miraton edhe paketën fiskale’’- tha Tabaku.
Nga ana tjetër, Balla tha se paketa fiskale nuk do të ketë ndikim në buxhet, ndërsa nuk ngurroi as ta ironizonte Tabakun për buxhetin gjatë kohës që PD ishte në pushtet.
‘’Ceremonialiteti i kësaj mbledhje e do që pa humbur kohë të dëgjojmë ministrin e Financave për prezantimin e buxhetit. Qeveria mund të vendosë që s’do ta sjellë fare pasqyrën financiare…(ndërhyn Tabaku), të lutem zonjë nuk të ndërpreva. Pra mund të vendosë qeveria që mos të sjellë paketë fiskale dhe ministri njoftoi që nuk do ketë ndikim në buxhet. Tani ose jeni shqetësuar që ky është buxheti më i madh në historinë e vendit,, qesh ti qesh, por nuk i afroheshit treshit kur ishte ti zëvendës ministre. Jo pra treshit, se nuk di ta thyesh euron ti. Madje 2.8 shkon, po ta thyesh me aq sa e kishte ti’’- tha Balla. Versus.al
