POLITIKË /

Bashkia e Tiranës në “hall”: A duhet ta paguajmë Erion Veliajn?

Shkruar nga Versus

Bashkia e Tiranës në “hall”: A duhet ta paguajmë

Bashkia Tiranë i është drejtuar me një pyetje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe dy ministrive, asaj të Financave dhe të Drejtësisë: A duhet të marrë pagën Erion Veliaj?

Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Riastani, ka kërkuar nga KQZ, Ministria e Financave interpretim ligjor lidhur me të drejtën e kryebashkiakut Erion Veliaj për të përfituar pagë, ndërkohë që ndodhet në burgun e Durrësit që prej datës 11 shkurt.

Sipas shkresës zyrtare, që nga kjo datë, Bashkia e Tiranës nuk ka kryer asnjë pagesë mujore për kryebashkiakun.

Në dokument theksohet se, pavarësisht masës shtrënguese, Erion Veliaj vijon të mbajë funksionin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të datës 3 nëntor 2025, e cila shfuqizoi vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij nga detyra, duke e konsideruar atë në kundërshtim me Kushtetutën.

Bashkia e Tiranës sqaron se procedura e pagesës së pagave për punonjësit e administratës vendore zbatohet në bazë të Udhëzimit nr. 30, datë 27 dhjetor 2011, “Për menaxhimin e aktiveve në njësitë e sektorit publik”. Në këtë udhëzim përcaktohet se e drejta për pagë, edhe në rastet kur punonjësi nuk ushtron detyrën për shkaqe jo për fajin e tij, duhet të vërtetohet me dokumente ligjore dhe nënligjore në fuqi.

“Të dhënat për të përcaktuar të drejtën e punonjësit për pagë, kur ai nuk punon për shkak ndërprerjeje në punë jo për fajin e tij, të lejes së zakonshme, të pjesëmarrjes në kurse trajnimi, për paaftësi të përkohshme në punë, për kryerjen e detyrave të tjera shtetërore ose shoqërore, vërtetohen me dokumente të miratuara me akte të tjera ligjore dhe nënligjore në fuqi…”, thuhet në dokument.

Bashkia e Tiranës në “hall”: A duhet ta paguajmë

Duke qenë se situata e kryebashkiakut të zgjedhur është e pazakontë dhe krijon paqartësi në zbatimin e këtij udhëzimi, Bashkia e Tiranës kërkon nga institucionet kompetente udhëzim të qartë mbi interpretimin e pikës 71 të udhëzimit, konkretisht mbi aktet ligjore dhe nënligjore që përcaktojnë të drejtën e një të zgjedhuri vendor për të përfituar pagë në kushte të tilla.

Në përfundim të shkresës, Bashkia shpreh se pret interpretimin zyrtar të institucioneve përkatëse, për të orientuar veprimet e saj në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Poll