
Kryeministri Edi Rama në podcastin e radhës ‘Flasim’ ka folur për arsimin professional i cili sipas kreut të qeverisë shpesh paragjykohet nga prindërit.
Kreu i qeverisë theksoi se arsimi profesional është baza e suksesit në Gjermani, Zvicër, Austri.
Ai shtoi se nxënësit e arsimit profesional sot kanë mundësinë të punësohen më lehtë në treg.
“Arsimi profesional është baza e suksesit të Gjermanisë, Zvicrës, Austrisë. Por është zonë e paragjykuar nga shumë prindër që mendojnë se ndodh një lloj kategorizimi më i ulët në krahasim me nxënësit që shkojnë në arsimin e përgjithshëm.
Dhe nuk i vendosim faj. Sot nxënësit e arsimit profesional punësohen më lehtë, është gjynah që të mos ketë më shumë shtysë drejt arsimit profesional.
Shumë njerëz, prindër, por edhe nxënës kanë idenë që kur shkon në shkollë profesionale dhe mësimi mbetet aty.
Por kush kalon nga arsimi profesional, ka fituar ndërkohë edhe një informacion dhe aftësi për një zanat. Brenda universitetit ka edhe zanatin, mund të punojë ndërkohë me zanatin dhe fiton të ardhura.
Jo si një student që shkon dhe punon kamerier. Është një zanat i kërkuar me trajnim, jo më thjesht hajde futu, vish këmishën e bardhë”, tha Rama.

