Partia Demokratike bojkotoi sot seancën në Komisionin e Ekonomisë ku diskutohet mbi projektbuxhetin e vitit 2026. Shkak për këtë u bë mbyllja e seancës së kaluar në Kuvend pa diskutime mbi ligjin mbi barazinë gjinore. Demokratët vendosën unanimisht që të mos merrnin pjesë duke qenë se nuk lejohen të diskutojnë dhe mendimet e tyre nuk merren parasysh nga mazhoranca.
Për këtë bojkot në seancën e komisionit, kryetarja Milva Ekonomia ka reaguar duke thënë se demokratët kishin humbur “shansin” për të përfaqësuar zgjedhësit e tyre.
“Mua më vjen shumë keq që kolegët tanë opozitarë nuk janë dhe nuk marrin pjesë në mbledhje. Sepse ky është një moment që na lidh ne deputetëve me jetën e zonës nga e cila vijmë të zgjedhur. E humbën këtë shans, gjithsesi ne do vazhdojmë përpara sepse vendi nuk pret, reformat duhen ndërmarrë”- u shpreh Ekonomi.
Ndërsa në orën 12:30 grupi parlamentar i PD zhvillon mbledhje për të dakordësuar aksionin mbi vendimet e radhës. Versus.al

