POLITIKË /

"Faktet mbeten", Rama: Kemi vërtetuar të gjitha ato që kemi thënë ndër vite

Shkruar nga Versus

"Faktet mbeten", Rama: Kemi vërtetuar të gjitha ato që

Fjalën në foltoren e Kuvendit për projektbuxhetin e 2026-ës, Rama e nisi duke dhënë shifra të institucioneve ndërkombëtare sa i takon varfërisë në vend.

Ai tha se vendi ynë ka më pak rrezik për varfërinë krahasuar me vendet e tjera të rajonit të Ballkanit. Sipas tij, në këtë pikë Shqipëria është më pranë mesatares së përgjithshme të vendeve të BE.

“Ndërkohë që dua ta nis pikërisht me varfërinë dhe me të ardhurat. Sepse pikërisht këtu tek raporti me varfërinë qëndron edhe arsyeja pse ne jemi sot në mandatin e katërt. Dua ta nis duke cituar Eurostatin, institutin europian të statistikave. Shqipëria ka nivel më të ulët rreziku për varfërinë sesa Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Turqia. Shqipëria është më pranë mesatares së BE në këtë aspekt. Këtë e thotë Eurostati, jo unë.

Po vazhdoj me një tjetër burim serioz që përsëri nuk është burim qeveritar lidhur me ndryshimin e peshës së ushqimit në buxhetin e familjeve shqiptare që dikur ishte mbi 50% dhe sot është nën 40%. Të ardhurat e familjeve shqipare janë rritur 4-5% në vit përgjatë 2021-2024 dhe po e mbyll me FMN i cili jo më larg se pak ditë më parë tha se Shqipëria është ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Europë. Me politika fiskale dhe monetare të kujdesshme. Këto janë burime të padyshimta për pavarësinë e plotë të tyre nga qeveria e Shqipërisë”- tha Rama.

Sipas tij, qeveria që drejton ka arritur të mbajë të gjitha premtimet e bëra ndër vite.

“E mira e kësaj pune që gjithmonë është në favorin tonë është se fjalët i merr era, faktet mbetet. Ato që dëgjojnë njerëzit nga foltorja e këtij kuvendi kanë mundësi t’i vërtetojnë në muajt dhe vitet që vijnë siç i kanë vërtetuar të gjitha ato që kemi thënë. Kështu që sa më shumë do të thuhet se ne nuk po rrisim pensionet, aq më shumë pensionistët do binden se nuk ka asnjë alternativë tjetër në Republikën e Shqipërisë për ta dhe për nipërit e mbesat e tyre sesa PS”- shtoi kreu i qeverisë. Versus.al

Poll