
Gjykata Kushtetuese konfirmoi sot se Erion Veliaj do të vijojë të mbajë postin e kryebashkiakut të Tiranës duke rrëzuar vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij. Pas kësaj vendimmarrje nga ana e Kushtetueses, ka ardhur edhe reagimi i kandidatit të pavarur për Tiranën, Florjan Binaj i cili sqaron se do të kandidojë për kryebashkiak kurdo që të mbahen zgjedhjet.
Ai shkruan se nuk bëhet fjalë për garë pushteti, por për ta bërë Tiranën shtëpinë që duan t'ua lënë fëmijëve.
''Për mua dhe për qytetarët e Tiranës thelbi mbetet i njëjtë: Tirana ka nevojë për ndryshim. Unë do të kandidoj për kryebashkiak të Tiranës kurdo që të mbahen zgjedhjet me të njëjtën bindje, përkushtim dhe energji për t’u shërbyer njerëzve me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe transparencë.
Kjo nuk është garë për pushtet, por përpjekje për qytetin tonë, për ta bërë atë shtëpinë që duam t’u lëmë fëmijëve tanë. Mbështetja, inkurajimi dhe besimi që më kanë dhënë mijëra qytetarë këto ditë më kanë bindur se së bashku ne do t’ja dalim. Rrugëtimi ynë vazhdon. Ndryshimin që duan qytetarët e Tiranës nuk do ta ndalë asgjë''- shprehet Binaj.
Kujtojmë se aktori i njohur i humorit shpalli kandidaturën e pavarur dhe u mbështet nga të gjitha forcat opozitare përveç Lëvizjes Bashkë e cila nxorri si kandidat Arlind Qorin. Versus.al
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
	                       
