
Ish-deputetja Monika Kryemadhi e ftuar në Top News, foli për rolin e saj si opinioniste në Big Brother VIP Albania 5, por edhe për marrëdhënien e saj me ish-bashkëshortin, Ilir Meta i cili mbahet i arrestuar që prej 21 tetorit të 2024-ës.
Kryemadhi tha se kapitulli me Metën është i mbyllur, por deklaroi se e respekton dhe se do të vazhdojë ta dojë edhe pse bashkëjetesa me të është e pamundur. Mes të tjerash zbuloi se nuk është takuar me ish-presidentin dhe se për të kujdesen nëna dhe motra e tij.
“S’kam asnjë kontakt me Metën. S’kam kërkuar asnjë kontakt me të. E kam dashur, e dua për hir të gjërave që kam. Kam kujtime shumë të mira dhe të këqija për të. Marrëdhënien time personale dhe emocionale e kam mbyllur, do ia jap dorën, do e takoj do pi një kafe, por bashkëjetesa me të është e pamundur. Fëmijët e takojnë, unë e pyes ‘si e kishit babanë?’, në kuptimin shëndetësor. Raportin më të mirë e ka me vajzën e vogël. Janë të lodhur nga takimi me babanë. Është emocioni që do shkojnë. E kanë idhull babanë e tyre. I janë mirënjohës për çdo gjë që ata janë sot. Ankthi është se si do jenë aty brenda. Ndonjëherë i ftohtë, i ngrohtë, ose i axhituar.
Për Metën kujdesen mamaja dhe motra e tij. Marrëdhënien e kemi pasur të ndërlikuara. Në fillim kam pasur komunikim me motrën e tij. Me mamanë e tij, pas operacionit, skam pasur më kontakt. Pasi tre muaj më vonë ne u ndamë. Me nusen e vëllait patjetër, është e mirë. E ka thënë Meta që ‘unë jam sot këtu nga ajo’”, u shpreh ajo.
Po ashtu Kryemadhi foli për lidhjen e djalit të saj, duke thënë “Jam kandidate për vjehërr. Besari ka një shoqe që bashkëjetojnë bashkë, është shumë gocë e mirë. Fat i madh që e kemi, ta shikojmë. E kam thënë, kush mi do kalamajtë, unë i dua, janë më të mirët. Sigurisht që do ta doja një dasmë, pasi janë emocione. Unë vetë nuk kam bërë dasmë, kam bërë ditëlindje dhe u bë nami. Është problem i madh, dhe kam bërë be që nuk do bëj festë familjare. Edhe atëherë unë e kisha fajin. Më 9 prill bëj 52 vjeçe. Dasmë s’kam bërë. Baby shower skam bërë, 1 vjetor ditëlindje për fëmijët s’kam bërë, surprizë s’më kanë bërë kurrë. Në këtë botë s’ta di njeri.
Jam shumë e re, nuk shoh dot mundësi. Jam shumë e re për ta mbyllur jetën dhe shumë e vjetër për ta filluar jetën nga e para. S’mendoj se marrëdhënia çift të jep kënaqësinë për të vazhduar jetën. Kam deficensën për të shijuar jetën time. Kam qenë peng i punës. Edhe pushimet kanë qenë kontrolle shëndetësore.” Versus.al

