Një incident i rëndë është regjistruar në ambientet e qendrës së numërimit në Kashar, ku Sekretari i KZAZ-së, Remzi Mehmeti, është goditur fizikisht pas një kontestimi për një votë të kandidatit socialist Ornaldo Rakipi.
Sipas Mehmetit, një person i paidentifikuar, që nuk dihej nëse ishte vëzhgues apo përfaqësues i ndonjë subjekti, reagoi me forcë duke bërtitur për një votë të Rakipit. “Iu afrova dhe i kërkova të qetësohej, duke i thënë se do ta shqyrtonim votën dhe do t’i jepnim përgjigje. Por situata u përshkallëzua, me ofendime dhe zëra të ngritur,” deklaroi ai.
Ngjarja mori përmasa të dhunshme kur, sipas Mehmetit, disa persona kaluan perimetrin e sigurisë dhe e goditën fizikisht. “I paralajmërova për largim nga ambientet e KZAZ-së, por ata reaguan dhunshëm. Vota ishte për Orlando Rakipin, ndaj dyshoj se ishin persona të lidhur me të,” shtoi ai. /Versus.al/







