
Deputeti Dashnor Sula gjatë fjalës së tij në seancën plenare kritikoi kryeparlamentaren Lindita Nikolla për mënyrën e drejtimit të Kuvendit duke e cilësuar si diçka “të turpshme”.
Ai tha se në tryeza jo publike disa prej prokurorëve të SPAK-ut përmenden si “klani i malokëve” të cilin qeveria nuk e ka në dorë dhe sipas tij po bëhen përpjekje për ta pasur nën kontroll.
Sipas Sulës, ngritja e komisionit të posaçëm antikorrupsion ka pikërisht këtë si qëllim, marrjen nën kontroll të SPAK-ut.
“Do doja të thoja e nderuar zonja kryetare, por sot më vjen turp ta them këtë term sepse mënyra si p drejton sot Kuvendi është turp. Opozita vetëm po kërkon të drejtat e veta, të tjerat ua kemi lënë ju, pushtet, pasuri, tendera, koncesione, merrini të gjitha, mos u ngopshi. Po na lini të marrim fjalën të paktën.
Flitet dhe diskutohet nuk e kemi në kontroll ‘klanin e malokëve te SPAK’, të cilët keni filluar dhe i gjeni ku janë njerëzit e tyre për t’u bërë presion. Arsyeja që do ngrëni këtë komision është i qarë, doni të hiqni shpërdorimin e detyrës, pse? Sepse të gjithë personat politikë, është i akuzuar për shpërdorim detyre”- tha Sula.
Më tej, ligjvënësi tha se pronarët e lokaleve në qytete të ndryshme të vendit po presionohen që të marrin lojëra të fatit. Ndërsa kërkoi edhe përgjigjie nga ministri i Brendshëm Taulant Balla.
“Sa për krimin e organizuar, ato që u thanë janë pak. Se çfarë themi ne nëpër tavolina janë shumë më shumë.
E sfidoj policinë dhe ministrinë e brendshme, me ligjin për lojërat e fatit, a e din që nuk po lihet lokal e restorant që bandat detyrojnë për të futur lojërat e fatit. Shkoni në Elbasan, Durrës, Shkodër, Fier… dhe kur vete njoftimi te policia e shtetit, vjen përgjigjja e drejtorit ‘është rrenë, është mashtrim’”- shtoi deputeti. Versus.al








