Të mërkurën, më 11 shkurt, u konstituua Kuvendi i ri i Kosovës dhe u votua Qeveria e re me në krye Albin Kurtin, duke i dhënë fund një periudhe gati njëvjeçare me institucione në funksion të kufizuar.
Institucionet e reja u formuan pas një ngërçi politik që pasoi zgjedhjet e shkurtit 2025, kur Lëvizja Vetëvendosje nuk siguroi votat e nevojshme për krijimin e ekzekutivit.
Situata ndryshoi pas zgjedhjeve të dhjetorit të po atij viti, ku kjo forcë politike arriti të fitojë 57 mandate, duke siguruar shumicën për formimin e Qeverisë.
Gjatë fjalës së tij Kurti prezantoi kabinetin qeveritar dhe programin qeverisës. Gjithashtu Kurti foli edhe për gjyqin në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Sipas Kurtit është e padrejtë dhe e papranueshme që të barazohen ish-krerët e UÇK-së me regjimin e Millosheviçit.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës. Më lejoni që t’ju përgëzoj të gjithëve për konstituimin e Kuvendit të legjislaturës së 10-të. Këto ditë po zhvillohen seancat e fundit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së. Kërkesa për 45 vite burgim për secalin, ku përfshihen pretendimet për krime kundër njerëzimit, është orvatie që bie ndesh me të vërtetën. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit dhe ato i ka kryer regjimi i Millosheviçit. Kjo është e dokumentuar dhe e njohur ndërkombëtarisht. Barazimi mes drejtuesve të UÇK-së dhe të një regjimi genocidal është i papranueshëm”, tha mes të tjerash Kurti.
Në deklaratën e betimit, kryeministri Albin Kurti u zotua se do ta ushtrojë detyrën me përkushtim, do të respektojë Kushtetutën dhe do të punojë për përparimin e Kosovës.
"Betohem se do ta kryej me përkushtim dhe nder detyrën e anëtarit të Qeverisë, do të respektojë Kushtetutën, ligjet dhe rendin juridik dhe do të angazhohem për përparimin e përgjithshëm të Republikës së Kosovës"./Versus.al

