Komisioni Rregullator në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk ka shqyrtuar kërkesën e Partisë Socialiste për shtyrjen e afatit të votimit në qarkun e Vlorës. Mbledhja e sotme e këtij komisioni dështoi për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për marrjen e një vendimi.
Dy anëtarët përfaqësues të opozitës, Helga Vukaj dhe Muharrem Çakaj, u shprehën se një vendimmarrje për shtyrjen e votimit nuk është kompetencë e Komisionit Rregullator, por e institucionit të KQZ-së në tërësi. Ata u larguan nga mbledhja, duke pamundësuar vijimin e saj. Në mungesë të kuorumit – pasi për një vendim të tillë nevojiten katër vota – kërkesa e depozituar nga anëtari Arens Çela nuk u mor në shqyrtim.
Si rrjedhojë, orari i votimit në qarkun e Vlorës mbetet ai i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, me përfundim në orën 19:00. Kërkesa për shtyrje kishte ardhur pas pjesëmarrjes më të ulët se mesatarja në këtë qark, sipas raportimeve të deritanishme./Versus.al/







