Pas akuzave të Partisë Demokratike se 130 mijë fletë votimi të papërdorura ishin zhdukur pas zgjedhjeve të 11 majit, Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve (KAS) urdhëroi hapjen e 233 qendrave të votimit ku nuk ishte bërë shënimi korrekt në procesverbal për numrin e fletëve të papërdorura.
Procesi u zhvillua në magazinën e KQZ në Vaqarr dhe filloi nën monitorimin e përfaqësuesve të Partisë Socialiste. Përfaqësuesit e opozitës mbërritën rreth tre orë më vonë dhe nuk bënë komente për ecurinë e procedurës.
Përmes verifikimit rezultoi se të gjitha fletët e papërdorura ndodheshin brenda kutive të materialeve zgjedhore, duke hedhur poshtë pretendimet për zhdukje apo manipulim. Ato ishin ruajtur sipas procedurës përkatëse, edhe pse në procesverbalë ishte shënuar “zero” ose ishte vendosur një vizë nga komisionerët e qendrave të votimit.
Vendimi për hapjen e kutive u mor pas pretendimeve publike të PD-së, e cila ngriti alarmin për një skemë të mundshme manipulimi me fletët e votimit. Kërkesa për hetim u mbështet vetëm nga dy anëtarët opozitarë në KAS, Ledio Braho dhe Ilirjan Çefa.
Në përfundim të procesit, rezultoi se nuk kishte mungesë apo zhdukje fletësh, duke konfirmuar integritetin e materialeve zgjedhore./Versus.al/







