Strategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ka mbajtur një fjalim të fuqishëm gjatë mitingut përmbyllës të fushatës zgjedhore, duke i bërë thirrje qytetarëve shqiptarë të refuzojnë edhe një mandat tjetër për kryeministrin Edi Rama. Në një atmosferë elektrizuese, LaCivita theksoi se Shqipëria ndodhet në një moment kritik dhe ka një mundësi historike për të zgjedhur ndryshimin.
“Faleminderit Shqipëri për mbështetjen që na ke dhënë,” u shpreh ai në nisje të fjalës së tij. “Shqipëria ndodhet në udhëkryq. Jo vetëm për ëndrrat tuaja, por edhe për pozicionin e këtij vendi në arenën ndërkombëtare. Shqipëria nuk mund të lejojë më edhe një mandat tjetër për Edi Ramën.”
LaCivita, një figurë e njohur në fushatat republikane amerikane, e përshkroi gjendjen aktuale në vend si të rrezikuar nga korrupsioni dhe dështimet ekonomike. “Korrupsioni, gjendja ekonomike, ka shkatërruar familjet. Gjithçka që përkufizon lumturinë tuaj, Edi Rama ua ka marrë,” tha ai.
Duke i drejtuar një mesazh të drejtpërdrejtë qytetarëve shqiptarë, ai u bëri thirrje që të mos dorëzohen përballë zhgënjimeve: “Ju keni tani një shans historik të tregoni që populli shqiptar e refuzon politikën e së kaluarës dhe ju nuk do të reshtni së luftuari për familjet tuaja.”
Apeli i LaCivita përfundoi me një thirrje të qartë për të mbështetur liderin historik të Partisë Demokratike, Sali Berishën. Ai e portretizoi këtë votë si një mjet shpëtimi për vendin nga kriza politike dhe morale që, sipas tij, ka thelluar qeverisja aktuale. /Versus.al/








