Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka hedhur poshtë propozimin e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiç për përshpejtimin e integrimit të vendeve kandidate në tregun e përbashkët të BE-së dhe hapësirën Shengen, pa të drejtë vetoje.
Në një intervistë për “Politico”, Kos u shpreh se procesi i integrimit është kompleks dhe kërkon përmbushjen e reformave të thella nga vendet kandidate.
“Nuk jam e sigurt nëse Vuçiçi dhe Rama e dinë sa duhet të arrijnë nëse duan të jenë pjesë e Shengenit apo të tregut të përbashkët. Procesi i reformave është i vështirë si për integrimin ekonomik, ashtu edhe për anëtarësimin në BE”, tha Kos.
Ajo theksoi se Komisioni Evropian ka paraqitur tre opsione për politikën e zgjerimit, por vendimet përfundimtare varen nga shtetet anëtare.
“Pa vendimet e vendeve anëtare nuk mund të ecim përpara. BE-ja duhet të ndryshojë rregullat e saj për të mundësuar një valë të re anëtarësimesh”, u shpreh ajo.
Sipas Kos, opsioni i status quo-së nuk është i pranueshëm, ndërsa as modeli i integrimit të menjëhershëm pa reforma nuk konsiderohet i zbatueshëm.
Deklaratat e saj vijnë pas një interviste të përbashkët të Ramës dhe Vuçiçit, ku ata propozuan një integrim më të shpejtë të vendeve kandidate në BE, por pa të drejtë vetoje, me qëllim lehtësimin e shqetësimeve të disa shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian./Versus.al

