
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur për vizitën e tij në Strasburg ku foli në asamblenë e Këshillit të Evropës duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për gjendjen ku ndodhet vendi. Berisha tha se protesta e PD më 24 janar kishte bërë jehonë në Evropë dhe shtoi se zyrtarët evropianë e prisnin me këmbëngulje protestën e radhës.
Duke shtuar se do të ketë një protestë shumë shpejt, Berisha tha se ajo do të jetë më e fuqishmja që ka parë vendi.
“Jehona e protestës ishte e fuqishme. Pritej nga miqtë tanë protesta e dytë po me aq insistim sa ç’pritet nga të gjithë opozitarët shqiptarë. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe aktin puçist me të cilin ai për të mbrojtur veten e tij bllokoi parlamentin dhe nuk lejoi shqyrtimin e dosjes. Qytetarët do flasin dhe ne do informojmë për protestën më të fuqishme që ka njohur Tirana dhe Shqipëria në ditët në vijim. Opozita është në këmbë, e vendosur të përballet dhëmbë për dhëmbë me këtë regjim të turpshëm kriminal e kleptokratik. Ftoj opozitën e opozitarët ta vazhdojmë këtë betejë gjer në fitoren tonë. Shpresa e vetme është opozita dhe ajo nuk do zhgënjejë”- u shpreh Berisha. Versus.al

