
Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi mbajti fjalën e tij në mbledhjen e jashtëzakonshme të gjyqtarëve lidhur me ngërçin e krijuar prej ditësh me pagat e tyre dhe të administratës së pushtetit gjyqësor.
Sadushi e konsideroi situatën si “të jashtëzakonshme” duke theksuar se ky ngërç është pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave. Duke marrë si argument vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, Sadushi tha se duhet thjesht të respektohet ligji.
Ndërsa theksoi më tej se qytetarëve nuk mund t’u kërkohet të besojnë tek drejtësia kur vetë shteti përpiqet ta paraqesë pushtetin gjyqësor si ‘barrë’.
“Kjo mbledhje e përgjithshme është thirrur në mënyrë të jashtëzakonshme sepse e jashtëzakonshme është situate që po përjeton sistemi gjyqësor. Për herë të parë pas një vendimi të Kushtetueses që lidhet me pagën e magjistratëve, janë bllokuar pagat e gjyqtarëve dhe administratës gjyqësore. Ky nuk është më një problem I administrimit financiar, por pengesë konkrete për funksionimin normal të gjykatave. Për këtë arsye reagimi nuk mund të mbetej vetëm i një gjykate. Ajo që kemi përpara nuk është thjesht mosmarrëveshje financiare, por çështje që prek raportet kushtetuese mes pushteteve.
Qëllimi ynë nuk është të prodhojmë reagim emocional. Çështja vë në provë nëse një vendim kushtetues zbatohet. Kjo situate paraqitet si përplasje mes qeverisë dhe gjyqësorit, por kjo e shkëput nga thelbi. Nuk kemi përballë garë force. Gjyqësori nuk është këtu për të kërkuar privilegje. Gjyqtarët nuk e kanë vendosur rritjen e saj dhe as formulën e përllogaritjes. Statusin tonë e ka përcaktuar Kushtetuta. Kërkojmë respektimin e këtyre garancive dhe jo ndonjë privilegj.
T’i kërkosh gjyqtarit pavarësi dhe ta trajtosh statusin e tij sit ë negociueshëm, t’i kërkosh administratës ta mbajë sistemin në këmbë pa pagë. Nuk mund t’i kërkosh qytetarëve që të besojnë tek drejtësia ndërsa vetë shteti transmeton mesazhin se gjyqësori është barrë e problem”- tha Sadushi mes të tjerash. Versus.al

