Deputetja e Partisë Socialiste, Briseida Çakërri, ka komentuar protestën e zhvilluar në Tiranë, duke deklaruar se ajo nuk mund të konsiderohet më një protestë qytetare, por një organizim me karakter politik.
Në një intervistë për A2, Çakërri u shpreh se në tubim janë përfshirë hapur përfaqësues të partive politike, të cilët sipas saj synojnë të rrisin mbështetjen elektorale dhe jo të përfaqësojnë një lëvizje qytetare.
“Grupet politike aty kanë dalë hapur, qoftë nga partia Mundësia, Arlindi, Adriatiku, Euroatlantiku, PD-ja, të gjithë janë aty për të rritur numrin e tyre të votuesve.
Kjo protestë s’është më qytetare, është politike. Do ta them në mënyrën më popullore të mundshme, i ngjan një turlie ku janë partitë e vogla, me bamje, speca, patëllxhan e të gjitha, por s’ka mish, s’ka kokë, dhe do të thotë që s’do dalë asgjëkundi për sa kohë hynë partitë e vogla”, u shpreh ajo.
Deputetja socialiste argumentoi se përfshirja e forcave politike në protestë ka ndryshuar natyrën e saj, duke e larguar nga karakteri qytetar me të cilin nisi./Versus.al


