
Kreu i qeverisë Edi Rama ka dhënë intervistë për një tjetër media të huaj lidhur me protestat që po zhvillohen kundër resortit në Zvërnec të cilat tanimë kanë si kërkesë kryesore dorëheqjen e tij.
Ai tha se zhvillimi i këtij projekti nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje pasi sipas tij vetë shuma prej 4 miliardë eurosh, flet vetë.
“Nuk ka qenë kurrë në pikëpyetje nëse ky projekt do të ecte përpara apo jo. Ky është një bekim për vendin. Një investim prej 4 miliardë eurosh në një vend që ka një Prodhim të Brendshëm Bruto prej rreth 27 miliardë eurosh e ca, flet vetë”- tha Rama.
Sa u takon akuzave nga protestuesit se po shet vendin, Rama tha se bëhet fjalë për pronë private dhe jo publike.
“Sa i takon projektit që ka shkaktuar gjithë këtë reagim dhe zemërim në mbarë botën, bëhet fjalë për pronë private. Nuk bëhet fjalë për tokë publike që qeveria shqiptare po e jep apo po e shet duke 'nxjerrë në shitje vendin'. Është pronë private.
Kjo është një shprehje interesi e bazuar në një marrëveshje private mes palëve private, me të cilën, qeveria shqiptare nuk ka asnjë lidhje”, tha ndër të tjera Rama për Al Jazeera.
Më herët kreu i qeverisë ka këmbëngulur se nuk ka ende një projekt për Zvërnecin. Versus.al

