Edhe pse nuk do të jenë më pjesë e legjislaturës së re që nis në shtator, plot 82 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë do të vazhdojnë të marrin gjysmën e pagës mujore, në zbatim të ligjit aktual për statusin e funksionarëve të lartë publikë.
Ky përfitim bazohet në nenin 7 të ligjit për pensionet shtetërore suplementare, i cili parashikon një pagesë kalimtare për deputetët që largohen nga funksioni. Konkretisht, ata përfitojnë fillimisht dy paga të plota mujore, e më pas 50% të pagës bruto mujore për aq kohë sa kanë ushtruar funksionin, por jo më shumë se tre vite.
Aktualisht, paga mujore bruto e një deputeti është 310 mijë lekë, që do të thotë se secili ish-deputet do të përfitojë 155 mijë lekë në muaj deri në vitin 2028.
Ja si shpërndahen përfituesit:
45 deputetë të larguar nga radhët e Partisë Socialiste
3 deputetë të Partisë Socialdemokrate
Pjesa tjetër përfshin deputetë të opozitës dhe të grupeve të tjera parlamentare që nuk do të jenë në legjislaturën e re.
Ky trajtim financiar shihet si një formë mbështetjeje për ish-funksionarët publikë në periudhën e tranzicionit pas detyrës. Por ndërkohë, ai ka ngjallur debate në opinionin publik, për shkak të kostos së konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe perceptimit të privilegjeve të klasës politike, në një kohë kur shumë qytetarë përballen me vështirësi ekonomike. /Versus.al/







