Pas përplasjes në zyrën elektrorale pa logo pranë “Petro Nini Luarasi”, Belind Këlliçi dhe Erion Braçe janë ballafaquar përmes videove mesazheve në emisionin ‘Opinion’.
Erion Braçe pretendon se Këlliçi pranë ambienteve të zyrës në rrugën “Marko Boçari” ka dhunuar punonjësit e tij, ndërsa thotë se ka qenë ai që ka thirrur Policinë.
“I hapa ambientet e zyrës, pakon e kokoshkave dhe lavatriçen se thoshte keni para. Unë nuk kam lekë të blej vota, nuk kam patur që nga 1996”, tha Braçe.
Sipas pamjeve filmike që Këlliçi publikoi duken disa persona brenda ambienteve, ai thotë se në ambientet e zyrës elektorale janë gjetur zyrtarë të lartë, përfshirë dhe deputetin Erion Braçe. Për këtë të fundit Këlliçi njofton se ka bërë kallëzim në polici dhe se vetë Braçe ka pranuar se “zyra” ishte e tij.
“Ndodhem jashtë ambienteve të komisariatit numër 2 në Tiranë. Sapo kam bërë kallëzimin dhe deklaratën për rastin në fjalë, një krim elektoral që e kapëm në flagrancë, ku morëm një indicie të një zyre elektorale të padeklaruar të PS. Çuam zyrtarët tanë ku bënë verifikimin në vend, aty u konstatuan disa zyrtarë të shtetit.
Është qesharake, aty ishte dhe drejtoresha e Agjencisë të Inovacionit dhe të Ekselencës, një drejtoreshë e një kopshti në mos gaboj, një punonjës i tatimeve, një punonjës tjetër i njësisë bashkiake të cilët ishin mbledhur në një ambient të pa loguar, të PS ku ne patëm indicien për blerje vote. Menjëherë sapo kemi çuar anëtarët tanë, janë të filmuara edhe pamjet, kur i pyesim se çfarë po bënin dhe ata menjëherë kanë paketuar të gjitha sendet personale, kanë marrë çanta shpine, dokumente, kanë hequr nga muret harta elektorale me informacione, lista me emra dhe të dhëna zyrtare dhe kanë ikur me vrap. Kanë dalë pamjet filmike në media", tha Këlliçi.
Po ashtu Këlliçi e quan mashtrues Erion Braçen dhe e fton në debat për t’u sqaruar, bashkë me përfaqësuesit e Policisë që ishin prezent gjatë proces verbalit që kryen punonjësit./Versus.al/







