
Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka reaguar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale sa i takon ecurisë së deritanishme të procesit duke u kërkuar të gjithë numëruesve që të kryejnë me profesionalizëm punën e tyre.
Celibashi i paralajmëron se cënimi i votës së kandidatëve gjatë numërimit për listat preferenciale, përbën shkelje të rëndë ligjore ndërsa rikthekson procedurën e zarfeve të veçantë ku ruhen votat vetëm për partinë, duke mos pasur nevojë për rivlerësim gjatë procesit të numërimit të votave për kandidatët.
"Për anëtarët e grupeve të numërimit dhe të KZAZ-ve. Duke falënderuar të gjithë anëtarët e Grupeve të Numërimit të Votave dhe të KZAZ-ve që po e kryejnë detyrën me profesionalizëm, në përputhje me ligjin dhe udhëzimet e KQZ-së, dëshirojmë të sjellim në vëmendje të të gjithëve:
Cënimi i votës së çdo kandidati në listën “e hapur” përbën një shkelje të rëndë të integriteti zgjedhor e që sjell pasoja ligjore serioze për përgjegjësit.
Në këtë kuadër, rikujtojmë se është e ndaluar të bëhet një rivlerësim i votave për partitë politike apo koalicionet, tani që ka filluar procesi i numërimit dhe i vlerësimit të votave për kandidatët në listën “e hapur”.
Ligji përcakton qartë se, fletët e votimit, në të cilat vota është shprehur vetëm për partinë apo koalicionin, ruhen në një zarf të veçantë dhe nuk i nënshtrohen rivlerësimit gjatë procesit të numërimit dhe të vlerësimit të votave për kandidatët.
Çdo shkelje e këtij rregulli do të konsiderohet si tentativë për të manipuluar rezultatin zgjedhor dhe do të ndiqet me masa të rrepta ligjore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve disponon filmimet e procesit të numërimit dhe vlerësimit të votave për partitë dhe koalicionet për të gjitha KZAZ"- njofton Celibashi.
Akuza për manipulim të procesit të numërimit për votat e kandidatëve, janë bërë nga kandidatë të partive të ndryshme, mes tyre edhe socialisti Erion Braçe. Versus.al







