Deri në orën 19:55 të mbrëmjes së sotme, janë numëruar 5,161 nga 5,225 kuti votimi në të gjithë vendin, që përbëjnë 98.68% të totalit.
Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Partia Socialiste e Shqipërisë ka thelluar fitoren e saj duke siguruar 83 mandate në Kuvend, pas marrjes së një mandati shtesë në qarkun e Vlorës. Performanca më e fortë e socialistëve është regjistruar në qarqet Tiranë, Fier, Durrës, Elbasan dhe Vlorë.
Ndërkohë, Koalicioni i udhëhequr nga Partia Demokratike ka pësuar humbje në momentet e fundit, duke humbur dy mandate – një në Vlorë dhe një tjetër në Tiranë, të cilin e ka fituar Partia Mundësia e Agron Shehajt.
Për sa u përket forcave të tjera politike:
• Partia Socialdemokrate (PSD) e Tom Doshit del si forca e tretë në Kuvend, me 3 mandate.
• Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” ka fituar 1 mandat.
• Lëvizja Bashkë arrin gjithashtu të sigurojë 1 mandat parlamentar.
Tabloja e re politike reflekton një dominim të qartë të mazhorancës aktuale, ndërsa opozita dhe partitë e reja hyjnë në Kuvend me prezencë të kufizuar. /Versus.al







