Koalicioni Partia Demokratike–Aleanca për Shqipërinë Madhështore (PD–ASHM) ka dorëzuar zyrtarisht një kërkesë pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ku i bën thirrje këtij institucioni të pezullojë procesin e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 11 majit, deri në një auditim të plotë të votës së diasporës.
Në letrën e firmosur nga drejtuesit e koalicionit, PD–ASHM shpreh dyshime serioze mbi integritetin e procesit të votimit të emigrantëve, duke ngritur shqetësime për transparencën dhe sigurinë teknologjike të sistemit të përdorur për votimin online.
“Procesi i votimit nga diaspora është zhvilluar me një mungesë serioze të transparencës, me akses të kufizuar për subjektet politike dhe pa një verifikim të pavarur të platformës. Kërkojmë auditim të pavarur të këtij procesi përpara se të certifikohen rezultatet përfundimtare,” – thuhet në kërkesën zyrtare të PD–ASHM. /Versus.al/







