Drejtuesi politik i qarkut të Fierit, Gazment Bardhi, dhe ai i qarkut të Lezhës, Agron Gjekmarkaj, kanë mbërritur mbrëmjen e sotme në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, ku janë thirrur në një mbledhje të jashtëzakonshme nga lideri i PD-së, Sali Berisha, pas rezultatit zhgënjyes në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Bardhi u shpreh i emocionuar nga mbështetja që ka marrë në Fier dhe falënderoi qytetarët që i besuan alternativës së tij.
“Mirëmbrëma, jam shumë i lumtur që po ju shoh pas kaq shumë kohësh. Përveç mirënjohjes me zemër për 40 mijë qytetarët e qarkut të Fierit që, pavarësisht terrorit në të gjitha drejtimet, qëndruan dhe zgjodhën alternativën më të mirë për Shqipërinë, sonte nuk kam asnjë koment. Mirënjohje, dhe vetëm mirënjohje,” – deklaroi Bardhi.
Mbledhja e thirrur nga Berisha vjen në një moment kritik për Partinë Demokratike, e cila ka pësuar një humbje të thellë, duke rënë në 50 mandate së bashku me aleatët, krahasuar me 63 që kishte në vitin 2021.
Takimi pritet të fokusohet në analizën e rezultatit zgjedhor dhe në lëvizjet e ardhshme të opozitës në skenën politike. /Versus.al/







