
Kryeministri Edi Rama ka premtuar se në vitin 2027, do të ketë iniciativë të re nga qeveria për të mbështetur çiftet e reja. Ai tha se për 4 mijë çifte do të ketë ndihmë në përballimin e kredive për të blerë banesa. Sipas tij, për 2 mijë çifte do të ketë kredi me interes zero për apartamente me vlerë nën 60 mijë euro.
Ndërsa për 2 mijë çifte të tjera që marrin kredi për apartament me vlerë mbi 60 mijë euro, interesi i kredisë do jetë 3%.
“Po vazhdoj me politikat e reja të 2027-ës. Ne do pajisim 4000 çifte të reja me çelës shtëpie sipas kritereve që do të bëhen të qarta. Por këtu nuk hyjnë kreditë e lidhura me administratën, ato janë të tjera. 4 mijë çifte të reja të ndarë sipas kategorive janë 2 mijë kredi me interes zero. Pra për çdo apartament nën 60 mijë euro (këtu flasim për apartamente të vogla), për të nisur jetën me një çelës në dorë ne do të zerojmë kreditë. Ndërsa 2 mijë kreditë e tjera do jenë me interes vetëm 3% për apartamente që janë mbi 60 mijë euro. E tha ministrja, nuk synojmë të zgjerojmë thjesht programin e strehimit social. Sot përballemi me një problem botëror”- tha Rama. Versus.al

