POLITIKË /

Përfundon pas 4 orësh takimi i Ramës me kryetarët e bashkive në Kuç të Vlorës, zbardhen detaje nga diskutimet

Takimi u zhvillua në Kuç, ndërsa në fokus të diskutimeve ishte reforma territoriale dhe e ardhmja e bashkive që parashikohet të bashkohen.

Shkruar nga Versus

Përfundon pas 4 orësh takimi i Ramës me kryetarët e bashkive

Pas rreth 4 orësh e 30 minutash ka përfunduar takimi i kryeministrit Edi Rama me kryetarët e bashkive, i zhvilluar në Kuç, ku në fokus ishte reforma e re administrativo-territoriale dhe ndryshimet e propozuara në hartën e bashkive.

Në takim morën pjesë kryetarët e bashkive në rang qarku, si dhe drejtuesit e bashkive që parashikohet të shkrihen në kuadër të reformës.

Gjatë mbledhjes janë zhvilluar diskutime për bashkimet e propozuara, ndërsa kryetarët e bashkive që rrezikojnë të mos jenë pjesë e hartës së re kanë paraqitur argumentet e tyre për vijimin e ekzistencës së njësive që drejtojnë.

Sipas burimeve, diskutime ka pasur me të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm, ndërsa në tryezë janë hedhur edhe argumentet e qeverisë në favor të bashkimeve.

Në takim ishin të pranishëm drejtuesit e bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë


Qeveria e ka cilësuar takimin si informues, me qëllim prezantimin e reformës së propozuar nga Partia Socialiste dhe diskutimin e hapave të mëtejshëm.

Sipas qeverisë, reforma synon krijimin e njësive vendore me më shumë kapacitete, shërbime më të mira dhe administrim më efikas. Në fokus është edhe garantimi i vijimit të shërbimeve për qytetarët në zonat që do të përfshihen në bashkime.

Rama dhe përfaqësuesit e qeverisë kanë argumentuar se përvoja e reformës administrativo-territoriale të vitit 2014 ka treguar përfitime nga bashkimet e njësive vendore.

Ndërkohë, reforma pritet të vijojë përmes konsultimeve me bashkitë, komunitetet dhe aktorët e tjerë të përfshirë, përpara përcaktimit përfundimtar të hartës së re territoriale./Versus.al

 

Poll