Ka përfunduar numërimi i votave në qarkun e Fierit, ku Partia Socialiste ka siguruar 12 mandate, një rezultat që tejkalon pritshmëritë fillestare të vetë forcës politike. Në lojë mbetet ende mandati i fundit, që mund të ndikohet nga votat e Diasporës, ku i vetmi rrezik potencial vjen nga koalicioni “Nisma – Shqipëria Bëhet”.
Pas mbylljes së procesit në KZAZ nr. 60, drejtuesja politike e PS në këtë qark, Belinda Balluku, u shpreh e entuziazmuar për rezultatin, duke e cilësuar këtë si një fitore historike për socialistët dhe një humbje po aq historike për Partinë Demokratike.
“Me kutitë e numëruara, PS ka mbi 63% të votave, ndërsa PD vetëm 25%. Edhe me votat e Diasporës, PD nuk ka më shans për një tjetër mandat,” deklaroi Balluku.
Ajo vlerësoi procesin si të qetë dhe profesional, duke falënderuar të gjithë trupën zgjedhore, të majtë e të djathtë, për një administrim të modelit.
Në reagimin e saj, Balluku nuk i kurseu kritikat për kundërshtarët politikë, duke thënë:
“Të të heqin mandate nga lista e mbyllur duhet të jetë shokuese. PD duhet të reflektojë se si fitohen garat – me punë dhe organizim, jo me kaos.”
E pyetur për marrëdhëniet me përfaqësues të PD në terren, Balluku theksoi se nuk ka pasur asnjë kontakt, duke shtuar me ironi se demokratët “nuk shtrëngojnë dorë asnjëherë.”
Ajo përmendi gjithashtu zgjedhjet e vitit 2011 si një moment reflektimi për PS, prej nga nisi një model i ri organizimi dhe pune në bazë, ndërsa për PD tha se vazhdon të mbetet e paqartë dhe e paorientuar.
“Krahasoni se kush e drejtoi këtë fushatë për PD-në në Fier dhe do ta gjeni vetë përgjigjen e kësaj disfate,” përfundoi Balluku. /Versus.al/







